kor62016
Efekti pozitiv i konsumit në moshë të hershme të ushqimeve alergjike
Futja në dietën ushqimore gjatë fëmijërisë së hershme të ushqimeve alergjenike, vazhdon të japë rezultate premtuese në uljen e riskut për të zhvilluar alergji ushqimore. Në këtë përfundim kanë dalë dy studime të publikuara në "New England Journal of Medicine" dhe të prezantuara në kongresin vjetor të Akademisë Amerikane të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë.
Në studimin e parë, George Du Toit, alergolog pediatër në "Guy's & St Thomas' Hospitals" në Londër dhe kolegët kanë caktuar një koort fëmijësh me ekzemë të rëndë ose alergji ndaj vezës, që të konsumonin ose jo kikirikë para moshës 11 muajshe dhe zbuluan në moshën 5 vjeç një risk të reduktuar alergjish ndaj kikirikëve te ata fëmijë që i kishin ngrënë kikirikët në krahasim me ata që nuk i kishin ngrënë.
"Gjatë follow up-it iu kërkuam rreth 550 fëmijëve me risk të lartë për alergji, të cilëve iu ishin dhënë kikirikë në vitin e parë të jetës, që të shmangnin konsumin e tyre gjatë 12 muajve pasues", shkruajnë autorët, duke saktësuar se moskonsumimi nuk përkoi me ndonjë rritje të prevalencës për alergji ndaj kikirikëve. "Edhe pse nuk e dimë se sa kohë nevojitet për të zhvilluar tolerancën, duhet të inkurajojmë konsumin e kikirikëve te fëmijët me risk të lartë për të paktën 4 vjet duke nisur nga mosha 11 muajshe", përfundon Du Toit.
Në studimin e dytë me autor kryesor Michael Perkin nga St. George's University në Londër, autorët kanë ndarë në 1.300 foshnja që ushqeheshin me gji, ushqime alergjenike në moshë 3 dhe 6 muajshe, duke parë se prevalenca e alergjive ushqimore ishte më e ulët mes atyre që kishin marrë më herët ushqime alergjike në krahasim me ata që i kishin marrë më vonë.
Në një editorial, Gary Wong nga Departamenti i pediatrisë nga Universiteti i Hong Kongut, komenton: "Është e nevojshme t'i përgjigjemi shumë pyetjeve para se të futen në moshë të hershme ushqimet alergjike dhe të realizohet një strategji efikase në nivel popullate. Ndërkohë duket se konsumi i hershëm i ushqimeve me risk është efikas në parandalimin parësor të alergjive nga ushqimet".