shk202018
Sa e shtojnë rrezikun për kancer, ushqimet shumë të përpunuara?
Ekziston një lidhje mes konsumimit të ushqimeve shumë të përpunuara dhe zhvillimit të kancerit. Kjo nuk është më një hipotezë, por rezultat i një studimi të publikuar në British Medical Journal. «Janë të nevojshme thellime të tjera në këtë çështje, pasi studimi ynë ka qenë një studim vëzhgues, por këto rezultate sugjerojnë se shtimi i shpejtë i konsumimit të ushqimeve shumë të përpunuara mund të ketë një ndikim nxitës për kancerin, në vitet në vazhdim", nënvizon Thibault Fiolet, Qendra e Kërkimit dhe Statistikave Epidemiologjike, Sorbonë, Paris (CRESS), autor kryesor i studimit.
Ushqimet shumë të përpunuara në të cilat përfshihen edhe produktet e pjekura të paketuara, pijet me gaz, drithërat e ëmbëlsuara, ushqimet e gatshme dhe produktet me bazë mishin, përfaqësojnë deri në 50% të kalorive totale që merren në vende të ndryshme të zhvilluara. Kërkuesit janë përpjekur të vlerësojnë lidhjen që ekziston mes ushqimit shumë të përpunuar dhe rrezikut të kancerit në përgjithësi, si dhe të kancerit të gjoksit, prostatës dhe të zorrës së trashë në veçanti. Në studim janë marrë 104.980 francezë të rritur të shëndetshëm (22% burra, 78% gra) me moshë mesatare 43 vjeç, që kishin plotësuar të paktën dy pyetësorë dietikë online në lidhje me përdorimin e 3300 produkteve ushqimore të ndryshme (studimi kohorte NutriNet-Santé).
Rezultatet, të kategorizuara sipas faktorëve të rrezikut onkologjik, tregojnë se një rritje prej 10 përqindësh e ushqimeve shumë të përpunuara në dietë, lidhet me një rritje prej 12 % të rrezikut të kancerit në përgjithësi dhe 11% të rrezikut për kancer të gjirit. Asnjë lidhje e dukshme nuk është vënë re me tumoret e prostatës dhe të zorrës së trashë.
Vlerësimet e fundit nuk kanë nxjerrë në pah ndonjë lidhje të dukshme ndërmjet konsumimit të ushqimeve më pak të përpunuara, mes të cilave jeshillëqe të konservuara, djathëra e bukë dhe rrezikut nga kanceri, ndërsa përdorimi i ushqimeve të freskëta ose të përpunuara minimalisht, si frutat, jeshillëqet, zarzavatet, orizi, makaronat, vezët, mishi, peshku dhe qumështi, ishin të lidhura me rreziqe më të ulëta për kancer në përgjithësi dhe për karcinomë mamare, në veçanti.
"Duhet të bëjmë kujdes në transmetimin e pikave të forta dhe të kufizimeve të këtyre analizave për publikun e gjerë, në mënyrë që në popull, të kuptohet kompleksiteti i lidhur me kërkimin nutricional", shkruajnë në një editorial Martin Lajous e Adriana Monge, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Meksikë.
Bmj 2018. doi: 10.1136/bmj.k599
http://www.bmj.com/content/360/bmj.k322