gus112020
Receta për një shëndet të mirë, s'ka të bëjë vetëm me çfarë dhe sa hani...
Sipas një raporti të Shoqatës Amerikane të Zemrës të botuar në "Circulation", njerëzit që nuk hanë mëngjes, kanë një rrezik 27% më të madh për sëmundje të zemrës sesa mesatarja, ndërsa, siç thuhet në një studim të botuar në "International Journal of Obesity", rreziku për diabet, hipertension dhe mbipeshë rritet kur nuk ndiqet një ushqyerje e rregullt.
Të hash mëngjes rregullisht, të shpërndahet marrja e kalorive përgjatë gjithë ditës (duke ulur gradualisht karbohidratet), të hash pak, shpesh dhe jo "vonë". Sipas ekspertëve, kjo është receta për një shëndet të mirë. Pra, nuk është e mjaftueshme t'i kushtohet vëmendje asaj që hani. "Shpërndarja e gabuar e kalorive gjatë gjithë ditës ndikon negativisht në shëndet, sepse ajo tejkalon kohën e diktuar nga ora jonë e brendshme biologjike", thotë Silvio Danese, nga IRCCS Humanitas, Rozzano. "Në këto raste, metabolizmi mund të pësojë ndryshime dhe të shkaktojë, për shembull, një shtim në peshë. Përveç kësaj, ekziston rreziku i shfaqjes së çrregullimeve më të mëdha të tretjes, siç janë refluksi dhe dispepsia", vazhdon ai.
Në fakt, duket se ngrënia vonë, si për drekë ashtu edhe për darkë, mund të shtojë peshën dhe perimetrin e belit. Hulumtimi nga Spitali Brigham dhe i Grave në Boston dhe nga Universiteti Murcia në Spanjë, që ka përfshirë 420 vetë që ndoqën një dietë të kontrolluar për 20 javë, tregon se ata që e hëngrën vaktin më përpara në kohë, humbën rreth 2,5 kg më shumë se pjesëmarrësit që nuk e bënë këtë. Por, pasojat nuk kufizohen te pesha.
Për ekspertët, mëngjesi mbetet vakti më i rëndësishëm i ditës, "asnjëherë mos e kapërceni atë, sepse truri ngadalësohet nëse nuk merr glukozë për më shumë se 16 orë", sqaroi Danese. "Mjafton që, ata që nuk mund ta hanë mëngjesin në mënyrën e duhur kur zgjohen, ta plotësojnë konsumimin e kërkuar të kalorive deri në mes të paradites, domethënë, 25% të konsumit ditor të kalorive. Më në fund, vëmendje duhet t'i kushtohet edhe kohës që kalon midis vakteve. Danese sqaroi se nuk duhet të qëndrohet pa ngrënë më shumë se 4 orë dhe se do të ishte e këshillueshme që të hahet shpesh, por pak. Në dallim nga karbohidratet, të cilat duhet të konsumohen në mënyrë pakësuese gjatë gjithë ditës, frutat dhe perimet mund të konsumohen "pa problem".
Circulation (2017)
https://www.ahajournals.org/doi/10.1161/CIR.0000000000000476