sht152020
Kontrolli i glicemisë, çelësi metabolik për të ruajtur peshën trupore
Kontrolli, korrigjimi dhe ruajtja e peshës trupore përmes kontrollit të sheqerit në gjak mund të përfaqësojë çelësin metabolik për të eliminuar yndyrën e tepërt, për të parandaluar dhe mbrojtur shëndetin e mirëqenien tonë, si dhe për të mbështetur më mirë sistemin tonë imunitar. Kjo është tema që u trajtua në "Aboca Health Talk. Diskutime mbi shëndetin", krijuar për t'iu përgjigjur pyetjeve më shpesh të bëra nga qytetarët.
Të njohësh më mirë efektet e ushqimit
Në këtë takim të ri me titull "Kontrolli i peshës trupore, shëndeti metabolik dhe sistemi imunitar", foli dr. Pier Luigi Rossi, specialist kirurg në Shkencën e të Ushqyerit, Higjienës dhe Mjekësisë Parandaluese. "Gjatë rrugës për të rifituar shëndetin tonë dhe gjithashtu, peshën tonë ideale, shpjegon Dr. Rossi, duhet t'ia nisim nga trupi ynë dhe jo nga ushqimi që hamë. Pra, duhet të fillojmë të njohim efektet që kanë disa lloje ushqimesh në trupin tonë. Pesha e tepërt sigurisht që është rezultat i një diete jo korrekte dhe mungesës së aktivitetit motorik, por edhe i përbërjes së trupit tonë, i cili ndryshon me kalimin e viteve. Ne vazhdojmë të mendojmë se trupi ynë është një kazan që digjet dhe prodhon, por nuk është kështu. Duhet t'i rregullojmë gjërat duke menduar për trupin tonë në mënyrë sistematike dhe duke kontrolluar çfarë ndodh me gjakun tonë pas ngrënies. Duhet të rivendosim rregull në marrëdhënien midis trupit e ushqimit dhe t'i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se llogaritja ditore e kalorive nuk ka bazë shkencore dhe të gjitha kërkimet moderne nxjerrin këtë aspekt. Ekziston nevoja për informacion më të kujdesshëm dhe në përputhje me kërkimet aktuale ndërkombëtare".
Pesha e tepërt dhe kritikat mbi sistemin imunitar
Situata pandemike nga Covid-19 ka ndryshuar edhe perceptimin tonë mbi gjërat, duke vendosur peshën e tepërt në qendër të vëmendjes, me kritika të mundshme mbi sistemin imunitar. "Problemi, nënvizon dr. Rossi, qëndron në reagimin e adipociteve, qelizave ku depozitohet yndyra e tepërt ushqimore. Duke u përballur me një rritje të vëllimit, që quhet hipertrofi, adipociti, me arritjen e madhësisë kritike, prodhon citokina (proteina inflamatore). Për këtë arsye, duke pasur tashmë një proces inflamator në veprim, një infeksion nga coronavirusi do të prodhonte të njëjtat citokina për një reagim të ngjashëm. Kjo është arsyeja pse diabeti, hipertensioni arterial dhe mbipesha kanë kontribuar qartë në komplikimin e infeksionit Covid-19, duke favorizuar rrezikshmërinë e tij. Kërkimet për një peshë të shëndetshme nuk janë vetëm një faktor estetik, por kërkime për shëndetin kolektiv".
Kontrolli i glicemisë dhe ushqyerjes
Çfarë mund të bëjmë, pra, që të jemi në gjendje të biem në peshë në mënyrë të shëndetshme, për të mbrojtur shëndetin tonë? "Oksigjeni, theksoi Dr. Rossi, është lënda ushqyese kryesore, një vaksinë metabolike natyrore. Prandaj, është i domosdoshëm një aktivitet fizik i shëndetshëm aerobik, i cili mund të bëhet ose në shtëpi me mjete të përshtatshme, të tilla si pista apo biçikleta, ose në ambiente të jashtme. Është i rëndësishëm gjithashtu zhvillimi i muskujve sepse i jep strukturës së trupit tonë aftësinë për të oksiduar acidet yndyrore. Një tjetër çështje themelore është më tej ushqyerja dhe kontrolli i sheqerit në gjak, domethënë, përqendrimi i glukozës pas çdo vakti për të mbajtur të ulët insulinën, një gjendje që shmang shtimin në peshë. Është e rëndësishme, për shembull, për ata me nivel të lartë të sheqerit në gjak, të shmangin sasinë e lartë të karbohidrateve gjatë vakteve, duke i zëvendësuar ato me ushqime proteinike. Ekzistojnë gjithashtu integratorë 100% natyrorë të përbëra nga fibra, veçanërisht të tretshme në ujë, domethënë, fibra që thithin ujin, të cilat përbëjnë një pengesë mekanike për të mbajtur të ulët sheqerin në gjak dhe janë shumë ndihmuese. Nëse kemi sukses në këtë qëllim për të ruajtur një peshë të shëndetshme me integrimin e barnave natyrore dhe ushqimit, përfundoi mjeku, ne krijojmë kushtet për të reduktuar yndyrën e tepërt të trupit dhe për këtë arsye, parandalojmë probleme shëndetësore, shpesh shumë të rënda".
Cristoforo Zervos