nën242020
Endometrioza. Ushqyerja e duhur mban nën kontroll simptomat
Dieta e përshtatshme mund të lehtësojë disa simptoma të endometriozës, një sëmundje kronike që prek 10-15% të grave në moshë riprodhuese, si dhe të përmirësojë jetën e përditshme të atyre që preken nga sëmundja.
Endometrioza është një sëmundje kronike, e karakterizuar nga rritja e qelizave endometriale jashtë kavitetit uterin dhe më shpesh në sipërfaqet viscerale e peritoneale të zonës pelvike. Kulmi ndodh midis moshës 25 dhe 35 vjeçare, por sëmundja mund të shfaqet edhe në grupmosha më të reja. Ky akumulim i qelizave endometriale jashtë mitrës shkakton një sërë simptomash shumë të dhimbshme, me shqetësime të rënda fizike dhe vështirësi në marrëdhënie.
Në Itali, 10-15% e grave në moshën riprodhuese preken nga endometrioza dhe endometrioza klasifikohet si një sëmundje kronike dhe invalidizuese, në fazat më të përparuara klinike ("shkallë e moderuar ose stadi III" dhe "shkallë e rëndë ose stadi IV"). Për këtë arsye, pacienteve u njihet e drejta për të shfrytëzuar disa shërbime të specializuara të kontrollit. Strategjitë terapeutike që janë aktualisht në dispozicion nuk janë të kënaqshme (J Cell Physiol. 2017; 1-6). Të shumta janë gjithashtu aspektet e studimit që kanë të bëjnë me patogjenezën ose diagnostikimin. Qasja kirurgjikale, me heqjen e vatrave, duke ruajtur sistemin gjenital riprodhues konsiderohet ndërhyrja më pak invazive dhe që mund të përsëritet disa herë, me kalimin e kohës.
Omega3, për të reduktuar inflamacionin abdominal
Një fushë studimi që, megjithëse nuk premton ta zgjidhë sëmundjen, mund të ndihmojë në kontrollin e simptomave, është ushqyerja. Në fakt, një dietë e përshtatshme, që nuk mund të konsiderohet kurë, lehtëson disa simptoma, duke përmirësuar jetën e përditshme të të prekurave nga sëmundja. Si? Duke përdorur ushqime antiinflamatore, të cilat kanë veprim detoksifikues dhe mbi të gjitha, pa hormone, molekula që tentojnë të nxitin përparimin e patologjisë. Qëllimi kryesor është të kontrollohet niveli i estrogjenit në qarkullimin e gjakut, për të ngadalësuar përgjigjen e indeve të varura nga estrogjeni. Për këtë arsye, këshilla është që të rritet konsumi i fibrave deri në 20 - 30% në vakte, në mënyrë që të pakësohen estrogjenet qarkulluese. Në veçanti, rekomandohet përdorimi i ushqimeve të tilla si bishtajoret, perimet, frutat dhe drithërat e plota të cilat gjithashtu, kontribuojnë në kontrollin e kulmit glicemik.
Kujdes me sheqerin!
Në fakt, duhet diskutuar specifikisht për sheqerin, që dihet se është një nga përgjegjësit kryesorë të favorizimit të gjendjes inflamatore në trup. Nivelet e larta të insulinës lidhen me nivele më të ulëta të SHBG-së (Sex hormone binding globulin-globulina lidhëse e hormoneve seksuale), një proteinë e aftë të lidhë testosteronin, dihidrotestosteronin (Dht) dhe estradiolin (estrogjenin). Kur nivelet e SHBG-së janë të ulëta, trupi ka më shumë hormone. Këtu buron rëndësia e zgjedhjes së ushqimeve dhe stileve dietike që moderojnë përgjigjen e insulinës. Sugjerohet gjithashtu që të shtohet konsumi i acideve yndyrore omega 3 (peshqit e kaltër, frutat e thata, vaji i ullirit dhe fara vajore si chia, luledielli, kungulli dhe liri) të cilat favorizojnë prodhimin e prostaglandinës Pge1, aktive në reduktimin e inflamacionit abdominal.
Një shënim i veçantë ka të bëjë me ushqime të tilla si mishi i kuq, që duhet kufizuar, në favor të mishit të bardhë me origjinë dhe mbarështim të kontrolluar (për të shmangur rrezikun e pranisë së hormoneve); produktet që përmbajnë sojë (salcë soje, tofu, seitan, edamame) nuk duhet të konsumohen për shkak të përmbajtjes së tyre me fitoestrogjene; dhe së fundmi, gluteni nuk duhet të eliminohet plotësisht, por të kufizohet duke preferuar burime drithërash dhe miell jo shumë të rafinuar. Një qasje e saktë dietike mund të ndihmojë në pakësimin e simptomave të dhimbshme duke kundërvepruar ndaj gjendjes inflamatore dhe duke përmirësuar menaxhimin e përditshëm të sëmundjes.
Francesca De Vecchi