Ushqyerje

jan242022

Çrregulluesit endokrinë në ushqimet fast-food, një rrezik potencial për shëndetin e njeriut

Ushqimi i shpejtë është konsideruar gjithmonë shembull i një diete të pabalancuar, që shpesh renditet si një ndër shkaqet e epidemisë së obezitetit në botën perëndimore. "Sipas një studimi të kohëve të fundit, dieta e pabalancuar nuk do të dukej i vetmi element shqetësues i asaj që serviret në këto vende", thotë Valerio Renzelli, endokrinolog i pavarur, Romë. "Autorët, në fakt, vlerësuan për herë të parë praninë e ftalateve dhe plastifikuesve, si në enët e shitura, ashtu edhe në dorezat e përdorura për t'i punuar ato, me rezultate jo inkurajuese. Orto-ftalatet janë plastifikues, që kanë si rol ta bëjnë plastikën më të butë dhe më të lakueshme. Ftalatet me peshë të lartë molekulare, si ftalati dietilheksil (DEHP) dhe di-n-butil-ftalati (DnBP), janë përdorur shpesh për këtë qëllim në klorurin polivinil (PVC), i cili përdoret nga ana e vet për paketimin e ushqimeve. Për shkak të efektit të njohur si çrregullues endokrin, organet rregullatore kanë kufizuar përdorimin e tij, për shkak të migrimit të lehtë nga ambalazhimi në ushqim, por ekspozimi mbetet i lartë, veçanërisht në konsumin e ushqimeve shumë të përpunuara".

 

Plastifikuesit në ushqim

Për shkak të toksicitetit të tyre, raporton Renzelli, prodhuesit kanë ndryshuar llojin e plastifikuesve për t'u përdorur me PVC-në, duke përdorur substanca të tilla si adipati 2-etileksil (DEHA), di-izononil-1,2-cikloheksan dikarboksilati (DINCH) dhe dioktiltereftalati (DEHT) që, pavarësisht emrit, nuk bën pjesë në ortoftalatet. Studimet e pakta, vetëm mbi kafshët, në lidhje me toksicitetin e tyre, nuk na lejojnë të vlerësojmë në mënyrën e duhur efektet e tyre të mundshme në shëndetin e njeriut. "Qëllimi i studimit të ri ishte të përcaktonte sasinë e tetë orto-ftalateve dhe tre plastifikuesve zëvendësues, si në ushqimet e porositura zakonisht në restorantet e ushqimit të shpejtë, ashtu edhe në dorezat që përdoren për t'i punuar ato", shpjegon Renzelli.
"Ne shqyrtuam pesë ushqimet më të porositura në tre kategoritë kryesore (hamburgerë, pica dhe Tex-Mex) në qytetin e San Antonios, në Teksas. Periudha e analizës u nda në dy faza, nga viti 2017 deri në vitin 2018 dhe u analizuan ushqime nga shumë vende, për çdo zinxhir të ushqimit të shpejtë, të blera në të njëjtën ditë dhe duke përdorur erëza standarde. Plastifikues u gjetën në të gjitha ushqimet e analizuara, me nivele më të larta në ato që përmbajnë mish: DnBP-ja dhe DEHP-ja ishin orto-ftalatet më të shpeshta, ndërsa DEHT-i ishte plastifikuesi më i shpeshtë zëvendësues. DEHT dhe DINCH u zbuluan si në ushqime, ashtu edhe në dorezat që vinin nga i njëjti restorant, duke sugjeruar se menaxhimi i ushqimit është një nga shkaqet e ekspozimit ndaj plastifikuesve. Kjo e dhënë është në përputhje me studimet e bio-monitorimit, të cilat tregojnë se ekspozimi ndaj DEHT-it po rritet gradualisht në popullatën e përgjithshme. Prania e përhapur e DHEP dhe DnBP në ushqime, por jo në doreza, sugjeron që kontaminimi mund të ndodhë gjatë rrjedhës së sipërme të zinxhirit të furnizimit ushqimor".

 

Cilat janë pasojat për shëndetin e njeriut?

"Ekspozimi ndaj orto-ftalateve, duke përfshirë DEHP-in dhe DnBP-në, ka qenë i lidhur me efekte të dëmshme metabolike, riprodhuese dhe neurozhvillimore: DEHP-i shkakton kriptorkidizëm dhe ndryshime në testosteronin testikular dhe homeostazën e qelizave Leydig", shpjegon Renzelli. "Përsa iu përket plastifikuesve zëvendësues, të dhënat e pakta do të tregonin siguri të konsiderueshme, veçanërisht për DEHT-in, por ato duhen interpretuar me kujdes pasi financohen nga industria. Disa studime epidemiologjike i kanë lidhur metabolitët urinarë të DINCH-it dhe DEHT-it me fibroidet e mitrës dhe inflamacionin, por këto janë aktualisht të pakonfirmuara. Analiza ToxCast bën të mundur vlerësimin in vitro të ndërveprimeve të mundshme midis një substance testuese dhe receptorëve njerëzorë. Ky studim analizoi ndërveprimet e mundshme të plastifikuesve zëvendësues në shqyrtim, të cilët duket se janë në gjendje të ndërveprojnë me tre rrugë sinjalizuese të receptorëve bërthamorë:
a) receptorin X të acidit retinoik-ß (RXR-ß), i përfshirë në rrugë të shumta;
b) receptorin X të pregnanës (PXR), i përfshirë në metabolizmin dhe detoksikimin e barnave dhe substancave ekzogjene;
c) receptorin alfa të estrogjeneve (ERA), çrregullimi i të cilit mund të kontribuojë në sëmundjet kardiovaskulare, metabolike dhe onkologjike".

 

Konkluzioni

Si përfundim, "Të dhënat e këtij studimi tregojnë se si është përhapur prania e çrregulluesve endokrinë në nivel të industrisë ushqimore dhe se, edhe pas kufizimeve të synuara për substancat me efekte toksike të njohura, prania e tyre është ende e përhapur në nivel ushqimor dhe në monitorimin e popullatave të ekspozuara", komenton eksperti. "Një fakt tjetër alarmues është se niveli i sigurisë për shëndetin te substancat e tjera, të prezantuara për të zëvendësuar këto, nuk është demonstruar ende në mënyrën e duhur nga studime të pavarura. Prandaj është e dëshirueshme që të ketë një kontroll më të madh, si në nivel legjislativ, ashtu edhe në atë të monitorimit të ushqimit, për të shmangur pasojat e mundshme në shëndetin e popullatës", përfundon Renzelli.

 

J Expo Sci EnvironEpidemiol. 2021 Oct 27. Doi: 10.1038/s41370-021-00392-8.
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/34702987/


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC