pri132023
Konsumimi i ushqimeve shumë të përpunuara dhe lidhja shkak-pasojë me kancerin
Sipas një artikulli të nënshkruar nga studiuesit e Imperial College në Londër dhe të botuar në "eClinicalMedcine", konsumimi me tepri i ushqimeve shumë të përpunuara si: pijet e gazuara, buka e paketuar, shumë ushqime të gatshme dhe shumica e drithërave që shpesh konsumohen për mëngjes, mund të shtojnë rrezikun për zhvillimin e kancerit.
"Këto rezultate dëshmojnë se si ushqimet shumë të përpunuara mund të ndikojnë negativisht në shëndet, duke përfshirë edhe rritjen e rrezikut për zhvillimin e kancerit", thotë bashkëautori Eszter Vamos, duke kujtuar se ushqimet shumë të përpunuara shpesh kushtojnë pak dhe tregtohen si opsione ushqimore të shëndetshme, por zakonisht janë të pasura me kripë, yndyrë, sheqer dhe aditivë artificialë.
Për të arritur në këto konkluzione, studiuesit ndoqën 200,000 të rritur në moshë të mesme të regjistruar në Biobank në Britani, duke monitoruar shëndetin e tyre gjatë një dekade si për sa i përket rrezikut të përgjithshëm të kancerit ashtu edhe probabilitetit që kishte secili prej tyre për të zhvilluar 34 lloje specifike të kancerit.
Dhe rezultatet flasin vetë: për çdo rritje të dietës së ushqimeve shumë të përpunuara me 10%, rreziku për zhvillimin e çdo lloj kanceri rritej me 6%, me një kulm prej 16% dhe 30% përkatësisht për kancerin e gjirit dhe atë të vezoreve. Korrelacionet mbetën të rëndësishme edhe pas përshtatjes për faktorët socio-ekonomikë, dietikë dhe të faktorët e sjelljes si: pirja e duhanit, stërvitja dhe indeksi i masës trupore.
"Një qytetar mesatar britanik konsumon ushqime shumë të përpunuara për marrjen e më shumë se gjysmës së energjisë së tij ditore", shkruajnë studiuesit, duke theksuar se ushqime të tilla bëhen me përbërës industrialë dhe shpesh kanë në përbërjen e tyre aditivë për të rregulluar ngjyrën, shijen, strukturën, konsistencën ose të zgjasin kohën e konservimit të tyre.
"Trupi mund të mos reagojë ndaj këtyre ushqimeve shumë të përpunuara siç bën ndaj atyre të freskëta ose të përpunuara minimalisht. Dhe nga këtu lind nevoja për reforma urgjente për të mbrojtur popullsinë nga këto ushqime siç ka ndodhur tashmë në Brazil, Francë dhe Kanada, vende që kanë përditësuar rekomandimet e tyre dietike në përpjekje për të reduktuar konsumin e këtyre ushqimeve", thotë Vamos, duke shtuar se gjithashtu OBSH-ja dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) kanë rekomanduar kufizimin e ushqimeve shumë të përpunuara në dietë.
"Meqenëse familjet me të ardhura të ulëta janë veçanërisht të ndjeshme ndaj këtyre ushqimeve të lira dhe të pashëndetshme, vaktet e freskëta mund të subvencionohen si pjesë e një politike publike që synon të sigurojë akses në opsione ushqimore më të shëndetshme për të gjithë", përfundojnë autorët.
eClinicalMedcine 2023. Doi: 10.1016/j.eclinm.2023.101840
https://doi.org/10.1016/j.eclinm.2023.101840