dhj212022
Dieta e shëndetshme me bazë bimore redukton rrezikun për kancer kolorektal
Një dietë e pasur me ushqime të shëndetshme me bazë bimore dhe me më pak ushqime të pashëndetshme me bazë bimore redukton rrezikun për zhvillimin e kancerit kolorektal te meshkujt, por jo te femrat, sipas një studimi të publikuar në BMC Medicine.
Studiuesit analizuan të dhënat nga pjesëmarrësit në Multiethnic Cohort Study, pothuajse 80,000 burra dhe mbi 93,000 gra me moshë mesatare përkatësisht 60 dhe 59 vjeç. Ushqimet dhe pijet e konsumuara zakonisht një vit më parë u raportuan nga vetë pjesëmarrësit, gjë e cila i lejoi studiuesit të klasifikonin produktet në "të shëndetshme" me bazë bimore, të tilla si: drithërat, frutat, perimet dhe bishtajoret, dhe "të pashëndetshme", si: drithëra të rafinuara, lëngje frutash dhe sheqerna të shtuara. Gjatë një ndjekjeje mesatare prej 19.2 vitesh, 2.9% e pjesëmarrësve zhvilluan kancer kolorektal.
Analizat treguan se meshkujt me konsumin mesatar ditor më të lartë të ushqimeve të shëndetshme me bazë bimore kishin një rrezik 22% më të ulët për të zhvilluar këtë lloj kanceri sesa ata me konsumin më të ulët. Te gratë, nuk u vu re asnjë lidhje domethënëse midis cilësisë së dietës me bazë bimore dhe rrezikut të kancerit.
"Ne supozojmë se antioksidantët që gjenden në ushqime të tilla si frutat, perimet dhe drithërat mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kancerit kolorektal duke shtypur inflamacionin kronik që mund të çojë në kancer. Meqenëse burrat janë të prirur të kenë një rrezik më të lartë të kancerit kolorektal krahasuar me gratë, ne mendojmë se kjo mund të ndihmojë në shpjegimin pse ngrënia e sasive më të larta të ushqimeve të shëndetshme me bazë bimore shoqërohet me reduktim të rrezikut të kancerit kolorektal, te burrat, por jo te gratë", shpjegoi autori kryesor i studimit Jihye Kim nga Universiteti Kyung Hee në Korenë e Jugut.
Për më tepër, lidhja ndryshonte edhe sipas përkatësisë etnike. Me konsumin më të lartë të ushqimeve të shëndetshme me bazë bimore, ekzistonte një rrezik 20% më i ulët te meshkujt japonezo-amerikanë (30.2% e pjesëmarrësve meshkuj) dhe një rrezik 24% më i ulët tek ata me lëkurë të bardhë (25.8%), ndërkohë që nuk kishte asnjë lidhje domethënëse te meshkujt latinë (24%), afrikano-amerikanë (13%) dhe vendas havajane (7%).
Kim tha se lidhjet më të forta te japonezo-amerikanët dhe burrat me lëkurë të bardhë të jenë për shkak të dallimeve etnike dhe faktorëve të tjerë të rrezikut të kancerit kolorektal.
Megjithatë, nevojiten kërkime të mëtejshme, për të studiuar edhe faktorët gjenetikë dhe mjedisorë që mund të ndikojnë në këtë lidhje në grupe të ndryshme etnike.
BMC Medicine 2022. Doi: 10.1186/s12916-022-02623-7.
https://doi.org/10.1186/s12916-022-02623-7