pri52024
Neofobia ushqimore te fëmijët. Dieta mesdhetare, në rrezik
Zhvillimi i një raporti të mirë me ushqimin varet edhe nga edukimi dhe prezantimi në kohë me një shumëllojshmërie ushqimesh. Te fëmijët, zhvillimi i një shijeje të caktuar dhe kureshtja kundrejt shijeve dhe përbërjeve të ndryshme, lidhen me ekspozimin ndaj një shumëllojshmërie pjatash dhe ushqimesh që në vitet e para të jetës. Kjo bën që fëmijët të jenë të prirur ndaj shumëllojshmërisë edhe në periudhat e mëvonshme të jetës.
Megjithatë, ekziston një fazë, e quajtur fiziologjike, gjatë së cilës çdo individ priret të tregojë një farë ngurrimi ndaj pjatave të reja, të panjohura, apo që nuk duken qartësisht si janë. Kjo ka të bëjë me neofobinë, frikën nga e reja dhe e panjohura, e cila nuk i përket sferës së gjerë të çrregullimeve të të ngrënit. Megjithatë, studiuesit e përkufizojnë atë si një fazë zhvillimi, e cila ndodh pa dallim gjinie dhe që zakonisht arrin kulmin e saj në moshat 2-6 vjeçare dhe më pas bie gradualisht në moshën madhore.
Implikime të qëndrueshme në sjelljet e të ngrënit
Neofobia mund të ketë implikime të qëndrueshme në sjelljet e të ngrënit me një ndikim në perceptimin ndijor të ushqimit, pasi është konstatuar se njerëzit me një neofobi të fortë, kanë zhvilluar më pak kënaqësi për ushqimin më pas. Ajo që i shqetëson studiuesit është se ato që refuzohen janë pikërisht ushqimet e tilla si frutat, perimet dhe bishtajat, të cilat janë baza e dietës mesdhetare (DM), stili i të ushqyerit që kontribuon më së miri në parandalimin e sëmundjeve kronike jo të transmetueshme, krahasuar me atë më pak të ekuilibruar, të përcaktuar si "perëndimore" (Western diet). Kjo e fundit po përhapet akoma më shumë, sidomos në vendet e rajonit mesdhetar, jo vetëm te të rinjtë, por edhe te të rriturit, e karakterizuar nga një konsum më i ulët i frutave dhe perimeve krahasuar me ushqimet e pasura me sheqer, kripë dhe yndyra të ngopura. Është vënë re se fëmijët me neofobi i preferojnë këto ushqime.
Frika qëndron në faktin se mosrespektimi i një stili mesdhetar dhe i shumëllojshmërisë së lëndëve ushqyese që në fëmijëri, i ekspozon ata ndaj rreziqeve më të mëdha. Gjithashtu, duke qenë se zakonet e mira të ushqyerjes formohen përmes zakoneve të krijuara gjatë moshës së zhvillimit, mosrespektimi i stilit mesdhetar në moshë të re është një sjellje që duhet korrigjuar me qëllim parandalimin e vazhdimësisë së saj deri në moshën madhore.
Lidhja ndërmjet neofobisë dhe ndjekjes së stilit mesdhetar
Këto supozime e shtynë Këshillin për Kërkime në Bujqësi dhe Analizë të Ekonomisë Bujqësore (CREA) të hetojë lidhjen midis neofobisë dhe ndjekjes së stilit mesdhetar në një popullatë pediatrike, duke hedhur hipotezën se një neofobi e fortë mund të shkaktojë ndjekje më të ulët të DM.
Të dhënat nga mostrat e 288 fëmijëve të moshave 3-11 vjeç u grumbulluan nëpërmjet një pyetësori. Pjesa më e madhe e kampionit tregoi një nivel të ndërmjetëm (67.3%) ose të lartë të neofobisë (18.1%), me përqindje shumë të larta tek fëmijët e moshave 6-11 vjeç (63.9%) dhe mbi të gjitha te fëmijët vetëm (50%). Ndjekja e DM-së ishte kryesisht e ulët (29.5%) ose e mesme (54.8%) dhe arriti nivelet më të ulëta te fëmijët me përqindje më të lartë neofobie (51.9%). Prandaj, studimi konfirmoi se neofobia mbizotëron gjerësisht në moshën pediatrike dhe se ndryshe nga sa përshkruhet në literaturë, mosha e këtij qëndrimi refuzues shkon përtej moshës 6-vjeçare. Neofobia është një nxitës që shkakton respektimin më të vogël të dietës mesdhetare me një ndikim negativ në konsumin e perimeve, bishtajave dhe farave vajore, duke kontribuar në një konsum më të madh të ushqimeve të ëmbla, të pasura me yndyra të ngopura.
Gjithashtu, edhe një mjedis i papërshtatshëm ushqyerjeje në shtëpi, zakonet e pashëndetshme të ushqyerjes në familje priren të zgjasin kohën gjatë së cilës fëmija shfaq neofobinë, duke vonuar (ose në çdo rast duke mos favorizuar) sjelljen e shëndetshme dhe të ekuilibruar të ushqyerjes së tipit mesdhetar, e cila, së bashku me një mënyrë jetese korrekte, mund të kontribuojë në parandalimin e sëmundjeve kronike gjatë jetës.