qer122023
Ushqyerja në shtatzëni. Përfitimet nga dieta mesdhetare
Dieta mesdhetare mund të reduktojë stresin, ankthin, të përmirësojë cilësinë e gjumit dhe mirëqenien te gratë shtatzëna të rrezikuara për të lindur foshnja më të vogla se mosha gjestacionale (SGA). Sipas përfundimeve të një hulumtimi të publikuar në "Nutrients" nga një ekip studiuesish nga Universiteti i Barcelonës, i koordinuar nga Irene Casas.
Përfitimet nga dieta mesdhetare
Dieta mesdhetare ka efekte të dobishme për shëndetin që janë demonstruar edhe përmes provave klinike me përzgjedhje rastësore. Ky stil dietik, në fakt, ndihmon në reduktimin e ngjarjeve kryesore kardiovaskulare dhe përmirëson profilin kardiovaskular te njerëzit në rrezik për rënie konjitive, diabet, kancer dhe çrregullime inflamatore. Për më tepër, ka një interes në rritje për efektet e dietës mesdhetare në cilësinë e jetës, shëndetin mendor dhe stresin. Nisur nga fakti që ankthi dhe stresi janë shumë të zakonshëm te gratë shtatzëna, me çrregullime të ndryshme mendore që ndodhin para shtatzënisë dhe gjithashtu ndryshime që shfaqen gjatë dhe pas periudhës së shtatzënisë.
Nënat shtatzëna të përfshira në studim
Në këtë studim studiuesit analizuan efektet e ndjekjes së një diete mesdhetare gjatë shtatzënisë në stresin, gjumin, ankthin dhe cilësinë e jetës së nënës, si pjesë e provës klinike Improving Mothers for a better Prenatal Care Trial (IMPACT). Nënat iu nënshtruan ekografisë me utratinguj në tremujorin e dytë të shtatzënisë për shkak të rrezikut të lindjes së një foshnje më të vogël për moshën gjestacionale. Ndër pjesëmarrëset, një pjesë ndoqën një dietë mesdhetare dhe pjesa tjetër iu nënshtruan trajtimit standard. Subjekteve të dietës mesdhetare, në veçanti, iu kërkua të konsumonin më shumë fruta të freskëta, bishtajore, drithëra, perime, mish të bardhë, peshk dhe arra si dhe të përdornin vajin e ullirit në gatimet e tyre.
80% e grave që ndoqën dietën mesdhetare perceptonin mirëqenie më të madhe
Studimi përfshiu 331 gra që ndoqën dietën mesdhetare dhe 349 të tjera që iu nënshtruan trajtimit standard. Shtatzënia dhe rezultatet perinatale nuk ndryshonin shumë midis dy grupeve, ndërsa u vu re një rritje e stresit të perceptuar, cilësisë së dobët të gjumit dhe ankthit te të gjitha pjesëmarrëset. Për më tepër, gratë që ndoqën dietën mesdhetare raportuan një perceptim dukshëm më të ulët të stresit në fund të studimit krahasuar me ato të grupit të kontrollit. Konkretisht, rreth 20% e grave që ndoqën dietën mesdhetare kishin mirëqenie të dobët krahasuar me 27% grupit të kontrollit.
Sabina Mastrangelo
Burimi:
Casas I. et al., Effects of a Mediterranean Diet intervention on maternal stress, well-being, and sleep quality throughout gestation - The IMPACT-BCN Trial. Nutrients (2023) - doi: 10.3390/nu15102362