Ushqyerje

gus232023

Efekti kardioprotektiv i mjaltit

Konsumimi i mjaltit mund të reduktojë nivelet e triglicerideve dhe kolesterolit, si atij total ashtu edhe atij LDL, dhe të rrisë nivelet e HDL-së, duke parandaluar kështu zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Përveç kësaj, konsumimi i rregullt i mjaltit mund të zvogëlojë ashpërsinë e mukozitit dhe shpeshtësinë dhe ashpërsinë e kollës dhe të përmirësojë shërimin e plagëve. Këto janë përfundimet e një studimi të botuar në "Nutrients" dhe të koordinuar nga Marta Palma-Morales nga Universiteti i Granadës në Spanjë.

Mjalti, një produkt natyral që ndryshon sipas origjinës gjeografike

Mjalti është një produkt natyral i bletëve të mjaltit, Apis mellifera, i cili ka përbërës me diversitet të lartë bazuar në origjinën e tij gjeografike. Në përgjithësi, mjalti përbëhet kryesisht nga sheqerna të ndryshëm, për 80-85%, ujë, për 15-17%, dhe proteina, për 0,10 dhe 0,40%. Megjithatë, në përbërjen e tij mjalti ka edhe acide organike, enzima, minerale, komponime fenolike dhe vitamina. Konsumimi i mjaltit lidhet edhe me efektet antiinflamatore, antioksidante, antivirale dhe antibakteriale, gjë që ka çuar në rritjen e popullaritetit të këtij ushqimi. Përfitimet e këtij produkti natyral mund t'i atribuohen përmbajtjes së lartë të fenoleve dhe acideve fenolike si acidi galik, acidi vanilik, acidi mandelik, acidi cinamik dhe acidi rosmarinik. Mjalti gjithashtu përmban flavonoide si luteolina, kuercetina dhe miricetina.

Karakteristikat kardiometabolike të mjaltit

Për të marrë një pamje të përgjithshme të efekteve të dobishme të mjaltit te njerëzit, studiuesit spanjollë morën në konsideratë 48 studime klinike, për një total prej 3655 personash me moshë mesatare 30 vjeç. Studimet analizuan lloje të ndryshme mjalti, të marrë edhe nga goja por edhe të përdorur në mënyrë topike, të pa kombinuar me substanca të tjera. Këto produkte u vlerësuan më pas në lidhje me rezultatet antikancerogjene, kardiovaskulare, antimikrobike, antidiabetike, antivirale dhe antioksidante. Analiza tregoi se te të rriturit, një konsum prej 70 gramësh në ditë për një muaj mjaltë natyral, të pa nënshtruar proceseve industriale, ul nivelet e triglicerideve, kolesterolit total, kolesterolit LDL dhe glukozës gjatë agjërimit dhe rrit nivelin e kolesterolit HDL, krahasuar me saharozën. Për më tepër, te njerëzit obezë, konsumimi i rregullt i mjaltit çon në të njëjtat rezultate për sa i përket kolesterolit dhe triglicerideve dhe përveç kësaj shkakton edhe  ulje të niveleve të proteinës C-reaktive, peshës, niveleve të yndyrës dhe indeksit të masës trupore.

Përfitime të tjera që vijnë nga konsumimi i mjaltit

Pavarësisht origjinës së tij, ky produkt ka edhe përfitime të tjera. Lloje të ndryshme mjalti nga rajoni i deltës së lumit Niger, për shembull, kanë treguar se zvogëlojnë normat e alkoolit në gjak dhe kohëzgjatjen e dehjes nga alkooli, por gjithashtu mund të rrisin edhe presionin e gjakut dhe nivelet e triglicerideve. Shpëlarësit e gojës me përmbajtje mjalti, nga ana tjetër, mund të zvogëlojnë kolonizimin e kandidozës orale, tharjen e gojës dhe disfaginë. Mjalti mund të rrisë numrin e neutrofileve dhe trombociteve dhe nivelet e hemoglobinës te pacientët me neutropeni. Te fëmijët me leuçemi limfoblastike akute, 2,50 gram/kg mjaltë dy herë në javë mund të reduktojë episodet e neutropenisë, numrin e shtrimeve në spital, kohëzgjatjen e shtrimit në spital dhe të përmirësojë nivelet e hemoglobinës.Konsumimi i mjaltit mund të reduktojë shpeshtësinë dhe ashpërsinë e kollës, të përmirësojë cilësinë e gjumit dhe kohën e rikuperimit nga gastroenteriti bakterial dhe gjithashtu të përmirësojë edhe shërimin e plagëve.

 

Sabina Mastrangelo
Nutrients (2023) doi: 10.3390/nu15133056


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC