qer282024
Krasta. Analiza e efikasitetit dhe siguria e vajit esencial
Tradicionalisht, Thymus serpyllum L. (Laminaceae) ose krasta, është përdorur për qëllime kulinarie, ushqimore, mjekësore dhe aromatike. Këtu mund të veçojmë vajin esencial të krastës, i cili përdoret gjerësisht në industrinë ushqimore si aromatizues dhe konservues. Pjesët ajrore të bimës përdoren zakonisht si një element dietik (p.sh. si çaj)/për përdorime në kuzhinë dhe në mjekësinë tradicionale (kryesisht për trajtimin e patologjive të frymëmarrjes dhe ato gastrointestinale), të ngjashme me përdorimin e trumzës së zakonshme, por praktikisht nuk ka informacione të disponueshme për përfitimet ushqyese të kësaj specieje.
Në studimet farmakologjike, përfshirë edhe studimet in vitro dhe in vivo, si dhe në një numër të kufizuar studimesh klinike, janë studiuar ekstraktet e krastës, edhe pse këto ekstrakte shpesh karakterizohen të dobëta nga ana fitokimike në protokolle dhe modele të ndryshme eksperimentale. Në këto studime është demonstruar një sërë efektesh terapeutike, si ato antimikrobike (sidomos në vajin esencial) dhe antiinflamatore, si edhe efektet parandaluese në shëndet dhe vlera ushqimore e krastës. Nga studimet paraklinike u konfirmua potenciali antiinflamator i bimës, sidomos në rastet e sëmundjeve intestinale inflamatore (IBD) dhe të sindromit të zorrës së irrituar (IBS). Gjithashtu, rezultuan evidenca të aktiviteteve hepatoprotektive dhe të përfitimeve në menaxhimin e sindromit metabolik dhe të problemeve në shëndetin kardiovaskular. Këto përfitime përfshijnë: rregullimin e metabolizmit të yndyrave, reduktimin e kolesterolit, efektet antidiabetike, antihipertensive dhe imunomodeluese, të cilat u konstatuan kryesisht te brejtësit.
Analiza fitokimike e krastës zbuloi një fraksion vaji esencial prej më pak se 1%, së bashku me përbërje jo të avullueshme që përmbajnë kryesisht acide fenolike (të tilla si acidet rozmarinike, salvianolike dhe kafeike) dhe flavonoidet (kryesisht glukozidet e luteolinës, apigeninët) dhe derivatet e tyre. Mendohet se këta përbërës kontribuojnë ndjeshëm në veçoritë medicinale, ushqimore dhe parandaluese për shëndetin e bimës. Pavarësisht rezultateve premtuese, autorët arritën në përfundimin se nevojiten studime klinike të kontrolluara e të projektuara në mënyrë më strikte, duke përdorur krastën e karakterizuar nga ana fitokimike. Megjithatë, bima ka shfaqur një shkallë të lartë sigurie dhe tolerueshmërie.