Ushqyerje

jan102024

Mangësitë ushqimore të fëmijëve, në bazë të dietës që ndjekin

Ata që hanë vetëm ushqime me bazë bimore, rrezikohen nga mungesa e hekurit, zinkut dhe vitaminës B12, ndërsa ata që konsumojnë kryesisht mish mund të kenë mungesë të vitaminës E dhe të folateve.

Nga Sabina Mastrangelo

Fëmijët, dieta ushqimore e të cilëve është, ose vetëm me bazë bimore, ose kryesisht me bazë mishi, mund të mos marrin sasinë e duhur të lëndëve ushqyese. Disa nga këto substanca mund të jenë vitamina D, kalciumi, jodi, acidi eicosapentaenoic (EPA) dhe acidi docosahexaenoic (DHA). Në veçanti, fëmijët që iu përmbahen dietave me bazë bimore mund të kenë mungesë hekuri, zinku dhe vitamine B12, ndërsa fëmijët që konsumojnë një dietë me bazë mishi mund të përjetojnë mangësi të vitaminës E dhe folateve. Këtë e tregon një studim i kryer nga studiuesit holandezë Nicole Neufingert dhe Ans Eilander, sipas të cilëve është e rëndësishme të synohet një dietë e larmishme, për të favorizuar një ekuilibër të qëndrueshëm ushqimor për fëmijët dhe adoleshentët.

Kequshqyerja në moshën pediatrike
Sipas dy studiuesve, disa studime kanë vlerësuar se 22% e fëmijëve nën pesë vjeç në botë kanë probleme me rritjen dhe se pothuajse 50% e fëmijëve parashkollorë kanë të paktën një mungesë të mikronutrientëve. Ushqimet me origjinë bimore, megjithëse plotësojnë kërkesa të ndryshme ushqyese, në përgjithësi kanë mangësi të një ose më shumë aminoacideve. Nga ana tjetër, mishi dhe produktet e qumështit janë shumë të pasura me proteina dhe përfshijnë të gjithë spektrin e aminoacideve thelbësore për rritjen, ndërsa një burim i rëndësishëm i acideve yndyrore esenciale përfaqësohet nga vajrat me origjinë bimore që nuk ofrojnë substanca kryesore, si: kalciumi, zinku, hekuri, seleni, riboflavina dhe vitamina A dhe B12. Së fundi, acidet yndyrore omega-3, acidi eicosapentaenoic (EPA) dhe acidi docosahexaenoic (DHA), thelbësorë për funksionin e retinës, neuroneve dhe imunitetit, janë të bollshme te peshku dhe tek ushqimet e detit, të cilat janë gjithashtu burime natyrale të vitaminës D dhe jodit.

Regjimet ushqimore të ndjekura nga popullsia pediatrike pjesëmarrëse në studim
Dy studiuesit analizuan 30 studime që përfshinin informacione të detajuara mbi dietat e ndjekura nga pjesëmarrësit. Dietat u klasifikuan në pesë kategori: vegane, e cila nuk përfshin mish ose produkte qumështi, vegjetariane, e cila përfshin produktet e qumështit, por përjashton mishin dhe peshkun, vegjetariane me konsum peshku, gjysmë-vegjetariane, ku mishi dhe peshku konsumohen më pak se një herë në javë, por më shumë se një herë në muaj, dhe mishngrënëse, në të cilën mishi hahet shpesh.

Dietat dhe mungesat e theksuara
Nga studimet e analizuara që krahasuan dietat me bazë bimore ose shtazore, doli se nuk kishte dallime në marrjen e energjisë. Për më tepër, fëmijët që ndiqnin dieta vegane nuk arritën të konsumonin sasinë e rekomanduar të proteinave, ndërsa kjo u plotësua në katër dietat e tjera. Mirëpo, te fëmijët veganë, marrja e fibrave, acideve yndyrore të pangopura dhe të ngopura ishte më e lartë, ndërsa kjo ishte më e ulët te mishngrënësit. Sa iu përket mikronutrientëve të tjerë, marrja mesatare e vitaminës D dhe e kalciumit ishte e ulët në të gjitha grupet dietike dhe dy studime zbuluan një rrezik të mungesës së jodit te të gjithë pjesëmarrësit. Së fundi, fëmijët që ushqeheshin kryesisht me bazë mishi kishin një rrezik të pamjaftueshmërisë së folatit dhe vitaminës E, ndërsa fëmijët që ushqeheshin me bazë bimore kishin një rrezik më të madh të mungesës së vitaminës B12, zinkut dhe hekurit.


Burimi:
Naufingerl N. and Eilander A. Nutrient intake and status in children and adolescents consuming plant-based diets compared to meat-eaters: a systematic review. Nutrients (2023) - doi: 10.3390/nu15204341


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC