Ushqyerje

sht22024

Çrregullimet ushqimore, në rritje në moshat pediatrike

Çrregullimet ushqimore, si anoreksia, janë manifestim i një raporti të gabuar me ushqimin dhe ngrënien. Në rastet më të rënda, arrijnë të prekin përmasat, peshën dhe formën e trupit. Deri para pak kohësh, ato ishin shumë të rralla te fëmijët, por tashmë rastet po shtohen ndjeshëm edhe te moshat 12 vjeç e poshtë. Ulja e moshës (deri në 8 vjeç), kërkon vëmendje të veçantë në njohjen e shenjave paralajmëruese, të tilla si:
• Mosngrënia
• Ushqyerja e pakontrolluar
• Të vjellat
• Fiksimi me pamjen fizike

Akoma nuk e dimë se pse disa fëmijë në moshat 8 vjeç e lart zhvillojnë çrregullime ushqimore e pse disa të tjerë jo. Dimë vetëm që janë të shumtë faktorët të cilët mund të ndikojnë në zhvillimin e një ushqyerjeje jo të shëndetshme te një i ri apo në ngjalljen e frikës nga shtimi në peshë, si: faktorët psikologjikë, shoqërorë, mjedisorë ose biologjikë. Shkaqet e mundshme përfshijnë në veçanti katër kushtet e mëposhtme:
• Frika nga ndryshimet e trupit në pubertet
• Presioni shoqëror mbi pamjen dhe sjelljen në një mënyrë të caktuar
• Anamneza familjare në lidhje me çrregullimet ushqimore
• Perfeksionizmi dhe vetëvlerësimi i ulët

Për shembull, dieta, kaq e normalizuar nga shoqëria bashkëkohore, sa krijon pritshmëri jo reale mbi pamjen e trupit, nuk është një sjellje e shëndetshme në adoleshencë dhe mbetet faktori më i madh i rrezikut në zhvillimin e një çrregullimi ushqimor. Kjo ndodh sepse fëmijët nuk janë imunë ndaj këtyre presioneve, si dhe qasjet dhe sjelljet e tyre reflektojnë shqetësimet e të rriturve.

Atëherë, si të sillemi? Prindërit dhe mësuesit mund të luajnë një rol thelbësor në parandalimin e çrregullimeve dhe në promovimin e një pamjeje trupore pozitive te të rinjtë, duke nxitur një raport të shëndetshëm me ushqimin. Ja, disa praktika të mira që mund të ndiqen:

• Mos i cilësoni ushqimet si të mira apo të këqija
• Mos e përdorni ushqimin si çmim apo si ndëshkim
• Mos e nxisni fëmijën të kufizojë konsumin e ushqimit
• Lejojeni fëmijën që të ushqehet kur është i uritur dhe ta ndërpresë ushqyerjen kur është i ngopur
• Prezantojeni ushqimin si qejf, por edhe si ushqyes për trupin
• Shmangni ndjekjen e një diete, si dhe të folurit mbi dietën tuaj
• Nxitini fëmijët të ndihen mirë me trupin e tyre
• Mos kritikoni pamjen fizike
• Nxisni aktivitetin fizik

Së fundi, është shumë e rëndësishme të nxisni vetëvlerësimin e fëmijëve dhe të rinjve, duke i ndihmuar të shprehin nevojat dhe dëshirat e tyre, të marrin vendime dhe të përballojnë pasojat e tyre. Gjithashtu, duhet t'i ndihmoni të ndjekin gjërat për të cilat janë të aftë, duke i ndihmuar edhe të zhvillojnë një ndërgjegje kritike të imazheve dhe mesazheve shoqërore që shohin në televizion ose media sociale. Të gjitha këto hapa do t'i ndihmojnë fëmijët në përballimin e presioneve të jetës.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC