jan242015
Udhëzuesit e NICE për alergjitë ndaj barnave
Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore, por jo të gjitha kanë natyrë alergjike, të tjera reaksione negative janë ato pseudo-alergjike apo të shkaktuara nga intoleranca ndaj një bari të caktuar. Instituti Britanik për Kujdesin Shëndetësor (NICE) ka publikuar disa muaj më parë udhëzuesit për diagnostikimin dhe trajtimin e alergjisë ndaj barnave.
Bari përgjegjës për numrin më të madh të shtrimeve në spital si pasojë e reaksioneve alergjike është
penicilina. Studimet kanë treguar se njerëzit alergjikë ndaj penicilinës trajtohen përgjithësisht me antibiotikë të spektrit të gjerë të tillë si
kinoloni, vankomicina dhe cefalosporina e gjeneratës së tretë. Megjithatë, ekspertët e NICE-s paralajmërojnë se ndonjëherë pacientët gabimisht besojnë se janë alergjikë ndaj penicilinës dhe përdorimi i antibiotikëve të sipërpërmendur mund të çojë në zhvillimin e rezistencës së përgjithshme ndaj antibiotikëve.
Edhe reaksionet alergjike ndaj barnave anti-inflamatore josteroidale (AIJS) si
Ibuprofeni, Naprokseni, Diklofenaku dhe Aspirina janë të zakonshme: preken 5-10% e atyre që vuajnë nga astma.
Reaksionet anafilaktike megjithatë ndodhin në 1 person në 1000 dhe mund të verifikohet një rast në 10 mijë apo 20 mijë gjatë anestezisë. Për këta njerëz duhet gjetur një kombinim i barnave ad hoc, në të kundërt anestezia nuk duhet të administrohet.
Shqetësimet kryesore të shprehura në udhëzuesit britanikë lidhen me dokumentacionin e pa-përshtatshëm klinik dhe me komunikimin e mangët mes mjekëve e pacientëve, që shpesh kontribuojnë në formulimin e diagnozave të gabuara. Është gjithashtu e rëndësishme të përmirësohen sistemet e informacionit në mënyrë që të ofrohen kode efikase për të regjistruar dhe dalluar këto alergji nga reaksionet e tjera. Në vazhdim duhet të riprojektohen librat përshkrues dhe skedat terapeutike për të lejuar përfshirjen e informacionit të strukturuar që mund të ndihmojë në sigurinë e pacientit.