jan262015
Vaksinimi, AIFA: piku i të prekurve me grip në muajin shkurt
Rreth dy milionë italianë janë prekur nga gripi sezonal dhe më problematikët janë fëmijët. Në disa qendra të ndihmës së shpejtë situata është kritike dhe në shumë spitalore numri i shtretërve është i pamjaftueshëm. Në qytete të mëdha si Roma kanë ndërhyrë strukturat private, duke vënë në dispozicion qindra shtretër shtesë.
Por, piku i të prekurve me grip pritet të jetë në mes të shkurtit dhe prandaj ka ende kohë për t'u vaksinuar. Ftesa për t'u vaksinuar vjen nga Luca Pani, drejtor i përgjithshëm i AIFA-s: "Historia e vaksinës Fluad, në fillim e dyshuar se shkaktoi disa të vdekur në Itali dhe më pas e liruar nga dyshimet, ka pasur një ndikim negativ në numrin e vaksinimeve, i cili këtë vit ka rënë me 20-30%". Pani kujtoi komplikimet e rënda ose vdekjeprurëse që mund të lidhen me gripin, veçanërisht te personat e brishtë dhe më të rrezikuar. Në fakt, rastet e rënda janë tashmë disa dhjetëra dhe vetëm në Veneto janë raportuar 13 vdekje për shkak të komplikimeve të gripit.
Ka nga ata që pohojnë se shtimi i rasteve të rënda vjen si pasojë e një varianti të
virusit A/H3N2 i ndryshëm nga ai që përmban vaksina dhe mikrobiologët e Shoqatës së Mikrobiologëve Italianë i qëndrojnë nevojës për të vazhduar monitorimin. "Sigurisht situata epidemike gripale duhet të kontrollohet me kujdes, - thotë presidenti i shoqatës, Pierangelo Clerici - pa harruar se viruse të tjera respiratore janë në qarkullim dhe disa prej të cilave japin infeksione shumë të rënda, veçanërisht te fëmijët. I referohem në veçanti virusit respirator sincitial cili për momentin është ai që shohim më shpesh në materialet bronkopneumonare".