maj252015
Kanabisi terapeutik, një institut në Kanada krijon regjistrin e parë
Në Kebek të Kanadasë është vendosur një regjistër për përdorimin e kanabisit terapeutik, me qëllim ofrimin e ndihmës mjekëve, farmacistëve dhe pacientëve për të kontrolluar sigurinë dhe përdorimin optimal të tij. Regjistri që ndër të tjera, tregon përfitimet dhe risqet e mundshme të barit, është krijuar falë përpjekjeve të institutit të kërkimeve në "McGill University" dhe konsorciumit kanadez për përdorimin e kanabinoideve. Është fjala për të parën bazë të dhënash të këtij lloji në botë, e cila do të mbledhë të dhënat e më shumë se 40 mijë kanadezëve, që në mënyrë të ligjshme e përdorin kanabisin për të lehtësuar simptomat e patologjive të shumta, si skleroza e shumëfishtë, AIDS, tumoret dhe epilepsia.
"Regjistri ndjek një model të konsoliduar të farmakovigjilencës, që propozon vëzhgimin e përdorimit të barnave jo në një kontekst klinik por në botën reale, për të sjellë të gjitha efektet anësore që duhet të verifikohen", pohon koordinatori i projektit, Mark Ware nga McGill University. Objektivi i deklaruar në projekt është edhe që të ndihmohet kërkimi shkencor. "Studimet klinike mbi kanabisin terapeutik janë ende shumë të pakta dhe janë zbatuar mbi grupe shumë të vogla pacientësh. Marijuana apo kanabisi siç preferoj ta quaj është studiuar deri diku, por kur flitet për pacientë me sklerozë të shumëfishtë, dëmtime të shtyllës kurrizore apo sëmundje kronike të rënda, risku që bari të ndërveprojë me terapitë ekzistuese nuk është thelluar kurrë". Siguria përbën shqetësimin më të përhapur, sidomos lidhur me ata pacientë që për shkak të sëmundjeve kronike, mund të marrin këtë substancë për periudha të gjata dhe siç shpjegon Ware, "mënyra e vetme për të përballuar problemin e sigurisë është të vëzhgohet një numër i madh pacientësh për një kohë të gjatë; shumë mjekë ushqejnë akoma dyshime mbi faktin nëse kanabisi funksionon vërtet, por do t'ua plotësojnë kërkesën pacientëve vetëm nëse këta pohojnë se kanë përfitime dhe nuk kanë efekte anësore".