kor112015
Risku për diabet të tipit 2 mund të përgjysmohet me bisphosphonate
Rezultatet e një studimi grek të publikuar në revistën "Journal of Clinical Endocronology and Metabolism" tregojnë se trajtimi për një kohë të gjatë me bisphosphonate asociohet me një risk të përgjysmuar të shfaqjes së diabetit të tipit 2.
Autori kryesor i studimit, Kostantinos Toulis, nga Departamenti i Endokrinologjisë në spitalin ushtarak të Tesalonisë, thotë se kërkime të mëparshme kanë treguar një reduktim tw normës së diabetit të tipit 2 te pacientët e mjekuar me alendronat, ndonëse fakti nuk është konfirmuar nga studime të mëtejshme.
Toulis bashkë me kolegët përdori një arkiv informacionesh të ngritur nga mjekët e përgjithshëm për të verifikuar të dhënat e tij. U përzgjodhën të dhënat e 36.000 personave jo diabetikë por të trajtuar me bisphosphonate për gati një vit, si dhe një grup tjetër prej 125.000 personash jo diabetike që nuk kishin përdorur asnjëherë më parë barna të tilla. "Sipas përllogaritjeve, mundësitë për t'u sëmurur me diabet të tipit 2 ishin shumë më të ulëta te pacientët të cilët po trajtoheshin me bisphosphonate, pavarësisht ndarjes në nëngrupe në bazë të moshës, gjinisë, masës trupore apo lloji i bisphosphonate-eve të përdorura në terapi".
"Edhe nëse të dhënat konfirmohen nga studime të mëtejshme, lidhja mes bisphosphonate-ve dhe reduktimit të riskut të diabetit të tipit 2 mbështetet edhe nga lidhja ekzistuese mes metabolizmit kockor dhe atij të glukozit", pohon Toulis. Megjithatë, ai shton se rezultatet e studimit duhen interpretuar me kujdes deri në konfirmimin e plotë të tyre dhe se për momentin nuk është e këshillueshme të përdoren bisphosphonate për parandalimin e diabetit.