nën112015
Ndërveprime farmakologjike: Statinat mund të reduktojnë efikasitetin e vaksinës anti-grip
Dy studime të publikuara në "Journal of Infectious Diseases" sugjerojnë se statinat mund të reduktojnë efikasitetin e vaksinës anti-grip. "Rreth 32 milionë amerikanë i marrin aktualisht këto barna, që sipas udhëzuesve në qarkullim i përshkruhen thuajse gjysmës së amerikanëve në moshë mes 40 dhe 75 vjeç për të ulur riskun e sëmundjeve kardiake", pohon Steven Black nga "Cincinnati Children's Hospital Medical Center" dhe koordinator i njërit nga dy studimet, ku kërkuesit në stinët e gripit 2009-2010 dhe 2010-2011 kanë analizuar përgjigjen imunitare të vaksinës kundër gripit me 7.000 persona mbi 65 vjeç. Duke vepruar kështu studiuesit kanë zbuluar se prodhimi i antitrupave kundër shtameve gripale ishte ndjeshëm i reduktuar mes përdoruesve të statinave tre javë pas vaksinimit. "Sipas këtyre të dhënave, statinat ndërhyjnë me përgjigjen e organizmit ndaj vaksinës anti-grip duke reduktuar përgjigjen imunitare dhe kjo duket se përkthehet edhe në një mbulim më të vogël kundër gripit", përfundon Black.
Studimi tjetër i zhvilluar nga studiuesit e "Emory University", ka ekzaminuar të dhënat e nëntë stinëve gripale nga viti 2002 deri në 2011-ën për një total prej 140 mijë personash, duke mbledhur informacione mbi vaksinimin kundër gripit, përshkrimin e statinave dhe rastet e sëmundjeve respiratore akute që kanë kërkuar kura mjekësore.
Dhe njësoj si në rastin e parë e parë, autorët kanë gjetur te përdoruesit e statinave një efikasitet të reduktuar të vaksinës me rreth 10-20% kundër bronkitit. "Ky fakt është një sinjal se efikasiteti i vaksinës anti-grip te të moshuarit mund të jetë i kompromentuar te ata që marrin statina në krahasim me të tjerët që nuk e bëjnë", pohon Saad Omer, një nga bashkautorët, e që shpjegon se këto studime nevojiten si stimul për kërkime të mëtejshme.
Me të bie dakord edhe Robert Atmar nga "Baylor College of Medicine" në Hjuston, i cili në një editorial pohon: "Këto rezultate, biologjikisht bindëse, konsiderohen ende si një hipotezë dhe duhet të çojnë në hetime të mëtejshme për të përcaktuar nëse statinat e reduktojnë efektivisht imunogjenicitetin e vaksinës anti-grip".