Farmaci

jan292016

Zorrë e irrituar dhe diarre, me eluxadoline përmirësohet gjendja shëndetësore

tags: Diarre

Sipas një studimi të publikuar në "New England Journal of Medicine" me autor kryesor Anthony Lembo nga "Harvard Medical School" në Boston, administrimi i eluxadoline-s (një princip aktiv i ri, i miratuar disa muaj më parë nga FDA) ndikon në një përmirësim domethënës të shëndetit të pacientëve me sindromën e zorrës së irrituar dhe diarre (IBS-D). "Sindroma e zorrës së irrituar me diarre është një çrregullim funksional i zakonshëm i karakterizuar nga dhimbje të herë pas hershme barku, fryrje dhe feçe pak ose aspak të formuara me evakuime të shpeshta në mungesë të anomalive strukturale, inflamatore ose biokimike", shpjegojnë kërkuesit dhe kujtojnë se sindroma e zorrës së irrituar me diarre, shpesh shoqërohet me një reduktim të vazhdueshëm të cilësisë së jetës, shkak ky për reduktimin e produktivitetit në punë, si dhe kostot e drejtpërdrejta të lidhura me shtimin e përdorimit të burimeve shëndetësore. 

"Pavarësisht se sindroma e zorrës së irrituar është diagnoza më e shpeshtë në ambulatorët gastro-enterologjikë dhe më e zakonshmja në studiot e mjekëve të familjes, mundësitë aktuale të trajtimit të formës së diarresë janë të kufizuara", saktëson studiuesi duke shpjeguar se eluxadoline është një bar oral me efekt opiat. Për të vërtetuar efikasitetin, Lembo dhe kolegët vëzhguan një grup prej 2.400 pacientësh me diarre nga sindroma e zorrës së irrituar, të cilëve iu administrua placebo dhe eluxadoline,  në dy dozime të ndryshme. Ata konstatuan se në 26 javë nga trajtimi, përmirësimi i dhimbjeve të barkut dhe ngurtësimi i feçeve ishte më i madh me eluxadoline se sa me placebo (respektivisht 31% në 100 mg eluxadoline; 27% në 75mg eluxadoline dhe 20% me placebo).

"Nga këndvështrimi i sigurisë, 5 pacientë të trajtuar me këtë bar kanë zhvilluar pankreatit dhe në 8 prej të tjerë është verifikuar një shtim domethënës i enzimave hepatike i shoqëruar nga dhimbje barku", shtojnë autorët, duke nënvizuar se të gjitha këto raste ishin të lidhura me një spazmë të muskulit unazor Oddi në prani të një kolecistektomie të mëparshme. "Nën dritën e këtyre rezultateve, para se të fillohet kura me eluxadoline është e rëndësishme të identifikohen individët në risk pankreatiti akut për shkak të mungesës së fshikëzës së tëmthit apo abuzimit me alkoolin", përfundojnë autorët.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC