sht72016
Transferimi i EMA-s në Milano? Ja avantazhet për Italinë
"Kultura jonë mund të përmirësojë aktivitetet që zhvillon Agjencia Europiane e Barnave duke i bërë gjithnjë e më të përshtatshme për interesin e pacientëve", shprehet drejtori i Irccs (Institutit italian të kërkimeve farmakologjike në Milano) Silvio Garattini, i bindur se kalimi i EMA-s në Itali do të sillte avantazhe jo vetëm për këtë vend por edhe për vetë Agjencinë. Transferimi i saj nga Londra në Milano është një zë që po bëhet gjithnjë e më i fortë dhe Garattini mendon se ka mundësi të shkëlqyera që ky zë të kthehet në realitet: "Brexit bën që agjencitë europiane që ndodhen në Londër të zhvendosen në vende të tjera dhe Italia është në radhën e parë për të pasur EMA-n". Arsyet janë të shumta: "Milano ofron vende të rëndësishme për të pritur strukturat e saj; në këtë zonë ka një përqendrim të shkëlqyer të industrive farmaceutike dhe janë mundësitë për të ofruar personel të kualifikuar sepse kemi shumë grupe kompetente. Dhe në fund mund të ofrojmë kërkime të dorës së parë".
Duhet përmendur një fakt të rëndësishëm: pavarësisht numrit të madh të kompanive farmaceutike, në Itali nuk ka kompani multinacionale të barnave dhe prandaj "vendi ynë nuk është i ekspozuar ndaj kritikave apo favorizimeve të mundshme".
Natyrisht, avantazhet do të ishin edhe për Milanon dhe Italinë: "Duke mirëpritur zyrat qendrore të EMA-s, - shpjegon Garattini, - do të ishte shumë më e lehtë që shumë nga punimet e nevojshme për aprovimin e barnave të reja mund t'i kaloheshin Italisë dhe në veçanti Lombardisë, ku kemi seli dhe struktura të përshtatshme. Sigurisht nëse qeveria, rajoni, bashkia dhe Assolombarda janë të interesuara, duhet të veprojnë shumë shpejt dhe të përgatisin të gjitha infrastrukturat e nevojshme për të pritur një aktivitet të këtij lloji".