tet212016
Publikohen në Jama udhëzuesit e rinj për menaxhimin e akneve
Udhëzuesit e rinj për menaxhimin e Acne vulgaris janë realizuar nga një grup pune i Akademisë Amerikane të Dermatologjisë (AAD), që ka zhvilluar një rishikim sistemik të literaturës aktuale duke ngritur një sërë rekomandimesh klinike mbështetur në evidenca dhe në rastin e provave të padisponueshme, jo koherente e të pamjaftueshme, mbështetur në opinionin e ekspertëve.
"Suksesi në menaxhimin e akneve varet nga vlerësimi i kujdesshëm i morfologjisë së tyre dhe zhvillimi i një regjimi të përshtatshëm trajtimi", shpjegon Carly Roman nga Universiteti i Çikagos dhe autore e artikullit të publikuar në "Jama", e cila liston rekomandimet kryesore të AAD.
Retinoidet topike (komponenti thelbësor i terapisë topike për aknet) rekomandohen në monoterapi për aknet komedonike me antimikrobikë, për përdorim topik ose oral në pacientë me akne të përziera ose inflamatore. Peroksidi i benzoilit është një trajtim topik efikas i akneve.
Terapia antibiotike topike (klindamicina ose eritromicina) këshillohet vetëm në kombinim me peroksid benzoili. Terapia antibiotike sistemike rekomandohet për menaxhimin e akneve inflamatore të moderuara dhe të rënda rezistente ndaj trajtimeve topike.
Përdorimi i antibiotikëve sistemikë duhet të kufizohet për një kohë sa më të shkurtër të mundshme, në përgjithësi 3 muaj.
Kontraceptivët oralë të kombinuar janë efikasë në trajtimin e akneve inflamatore te vajzat dhe gratë.
Isotretinoina orale rekomandohet për trajtimin e akneve nodulare të rënda, akneve të moderuara ose akneve që krijojnë shqetësim psiko-social.
Jama. 2016 Oct 4. doi: 10.1001/jama.2016.11842
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/27701644