shk12018
Po abuzohet me loperamidin. FDA-ja urdhëron paketime monodozë
Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) po u kërkon ndërmarrjeve prodhuese të antidiarreikut të banakut, loperamide, që të bëjnë paketim të tij me një dozë, gjë që favorizon një përdorim më të sigurt të barit. Vendimi vjen pasi enti vazhdon të marrë një sërë sinjalizimesh në lidhje me probleme të rënda kardiake dhe vdekje, të shkaktuara nga një dozë shumë më e lartë sesa dozat e rekomanduara. Eventet bien në sy kryesisht, në subjektet që e përdorin produktin qëllimisht ose abuzojnë me të, pavarësisht shtimit të një njoftimi në lidhje me dozimin, në etiketën e barit.
FDA-ja rikujton se loperamidi është një bar i sigurt nëse përdoret sipas udhëzimeve dhe se është i aprovuar për të përmirësuar kontrollin e simptomave të diarresë, përfshi diarrenë e udhëtarit. Doza maksimale ditore e aprovuar për të rriturit është 8mg për përdorim OTC (bar banaku, pa recetën e mjekut) dhe 16 mg në ditë, për përdorim të përshkruar nga mjeku. Bari vepron mbi receptorët opioidë të intestinit për të ngadalësuar dhe pakësuar numrin e lëvizjeve të barkut. Kur merret në doza shumë më të larta se ato të rekomanduara, ai mund të shkaktojë një sërë problemesh, mes të cilave, probleme të rënda të ritmit kardiak dhe vdekje. Për më tepër, FDA-ja rikujton se nëse bari është marrë në formën OTC, por diarreja zgjat më shumë se dy ditë, ai duhet ndërprerë dhe duhet bërë një konsultë me mjekun.
Disa tregues që duhet t'ju shqetësojnë, janë: gjendje të fikëti, përshpejtim i ritmit të zemrës dhe rrahje e saj në mënyrë të çrregullt, mosreagim dhe mungesë përgjigjeje normale ndaj stimulimeve. Operatorët shëndetësorë duhet të jenë të ndërgjegjshëm për faktin që, përdorimi, me qëllim ose jo, i dozave shumë të larta të loperamidit, mund të shkaktojë evente të rënda kardiake, përfshi zgjatje të intervalit QT, aritmi të ndryshme ventrikulare, rënie tensioni të shoqëruar me gjendje të fikëti.
Në rast abuzimesh me dëshirë, shpesh, subjektet përdorin edhe barna të tjera së bashku me loperamidin, në përpjekje për të shtuar përthithjen dhe depërtimin përmes pengesës hemato-encefalike, duke penguar metabolizmin e loperamidit dhe duke rritur efektet e tij euforike. Disa subjekte marrin doza të larta loperamidi për të trajtuar simptomën e mungesës së opioideve.
Nëse ka dyshime për një helmim nga loperamidi, duhet ndërprerë menjëherë bari dhe të nisë terapia e nevojshme. Në disa raste ritmesh kardiake anormale në të cilat trajtimi farmakologjik është joefikas, mund të jetë i nevojshëm edhe një stimulim ose kardioversion elektrik.