maj72018
UFSH-ja sërish në gjyq me FSDKSH-në për kontratat
Lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2018, ka hyrë në fuqi më datë 5 maj. Por, kjo ka ndodhur kur FSDKSH-ja nuk kishte lidhur më parë kontratat me farmacitë që tregtojnë barna me rimbursim. Të vënë para faktit të kryer, pronarët e farmacive janë thirrur ditën e shtunë për të lidhur kontratën e cila ishte hartuar pa u konsultuar më parë me farmacistët. Në një konferencë për shtyp, presidentja e UFSH-së, zonja Diana Toma deklaroi se është krijuar një situatë kaotike nëpër farmaci, duke shkaktuar edhe një dëm financiar.
"Hyrja në fuqi e kësaj liste në mënyrë të paparalajmëruar ka shkaktuar te farmacitë humbje të konsiderueshme financiare për shkak të gjendjes së barnave të blera më çmimin e listës së mëparshme. Farmacistët gjenden para një situate kaotike e cila do të sjellë dhe përballje me qytetarët për shkak të çmimeve të ndryshme për të njëjtin bar. Nga ana tjetër, lista e re është shoqëruar edhe me ndryshime të kodeve të barnave gjë që ka sjellë vonesa në punën e farmacive dhe sorollatje të pacientëve", shprehet zonja Toma.
Sipas zonjës Toma, është hera e parë që farmacistët ndeshen me faktin e miratimit të një kontrate të njëanshme pa marrë asnjë mendim apo negocim dypalësh. UFSH-ja konteston kriterin që përcakton se nuk lidhet kontratë më farmacitë që janë në proces gjyqësor me Fondin apo në hetim nga organi i akuzës për çështje që lidhen me pika të kontratës.
"Këto dy pika janë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe cënojnë parimet themelore të shtetit të së drejtës duke përfshirë prezumimin e pafajësisë. Ne e vlerësojmë një formë presioni të hapur që iu bëhet farmacisteve dhe subjekteve të tyre për të mos parë organet gjyqësore si formë të zgjidhjes së problemeve. Ndaj kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme duke iu drejtuar mënyrës ligjore nëpërmjet institucioneve që kanë të drejtë ligjore për të përfaqësuar grupet e interesit ", theksoi presidentja e UFSH-së, Diana Toma.
Toma ngriti me shqetësim mospërfshirjen në kontratë rimbursimi që duhet t'u bëhet subjekteve farmaceutike lidhur me kostot e recetës elektronike.
Alma Demiraj