kor132018
Shtohet përdorimi i "drogave të zgjuara". Studiuesit thonë se kanë efekt të kundërt
Janë amfetamina dhe të ngjashmet me të, ato që përdoren gjithnjë e më shpesh dhe i quajnë edhe "droga të zgjuara" apo barna që merren me shpresën për të përmirësuar performancën konjitive, të mësuarin e kujtesën, me qëllimin për të ndihmuar në përfundimin e detyrave impenjative të tilla si përgatitja për provime ose impenjime të tjera në punë. Sipas një kërkimi të kohëve të fundit, përdorimi i tyre është shtuar përgjithësisht në të gjithë botën, por veçanërisht, në vendet europiane.
Studimi, që është publikuar së pari në "International Journal of Drug Policy" dhe më tej, në "Nature online", ka raportuar një përdorim veçanërisht të lartë në Shtetet e Bashkuara, ku thuajse 30% e të intervistuarve ka konfirmuar se u është drejtuar barnave për të përmirësuar performancën dhe jo për motive shëndetësore në dymbëdhjetë muajt e fundit, por në Europë vihet re një bum i vërtetë, duke kaluar nga 3% përdorim, në 16% në Francë dhe nga 5% në 23% në Britaninë e Madhe, brenda vetëm dy vjetësh, në periudhën 2015-2017.
Gianluigi Mancardi, president i Shoqatës Italiane të Neurologjisë (SIN), konfirmon rrezikshmërinë e lidhur me përdorimin e panevojshëm të këtyre barnave: "Në vend që të shtojnë rendimentin, ndonjëherë ato mund ta ulin, të shtojnë ankthin, vështirësinë për t'u përqendruar ose për të ruajtur kujtime; domethënë, nuk besoj se kjo lloj praktike, në fund, mund të prodhojë një rendiment më të mirë në aktivitetin intelektual dhe më tej. Në mënyrë të natyrshme, duhet përmendur edhe rreziku i varësisë ndaj substancave që mund të dëmtojnë sistemin nervor".
Disa persona iu drejtohen anksiolitikëve, gjithmonë për të përmirësuar performancën e punës ose të studimit, "por është mirë të kujtohet se një minimum ankthi dhe shqetësimi mund të jenë të nevojshme për të shtuar përqendrimin dhe rendimentin: kërkimi i ndihmës farmakologjike, është gjithnjë jo i këshillueshëm", këmbëngul Mancardi.
Një tjetër element shqetësues është mënyra se si përdoruesit i marrin këto barna: 48% e tyre ka deklaruar se i ka marrë nëpërmjet miqve, 10% se i ka blerë drejtpërdrejt ose në internet; 6% se i ka marrë nga një familjar dhe vetëm 4%, se i ka marrë me përshkrim të rregullt mjekësor.
"Në përgjithësi, thotë Mancardi, nëse nuk ka një përshkrim nga mjeku, të shoqëruar me dozimin dhe mënyrën si mund të merren, ato janë të rrezikshme. Pa folur këtu për faktin që blerja në internet sjell rreziqe të njohura dhe në realitet, nuk dihet as se çfarë substancash po merren".