kor242018
FANS-at dhe antikoagulantët oralë. Kombinimi, sjell rrezik hemorragjik e trombotik
Lidhja që qëndron mes antiinflamatorëve jo steroidë (FANS) dhe antikoagulantëve oralë te pacientët me fibrilacion atrial shton rrezikun për hemorragji dhe iktus, sipas një analize post-hoc të studimit RE-LY, publikuar në "Journal of the American College of Cardiology".
"Nga këto të dhëna del se do të ishte më mirë të shmangeshin FANS-at te pacientët në terapi antikoagulante afatgjatë për fibrilacion atrial", deklaron autori kryesor i studimit, Michael Ezekowitz, nga Universiteti Thomas Jefferson në Filadelfia, duke shtuar se FANS-at, mes të cilëve ibuprofeni, meloxicam-i, diclofenac-u dhe ketorolac-u, pavarësisht se kanë të gjitha mundësitë për të shtuar rrezikun e gjakosjes, ishin autorizuar për përdorim gjatë studimit RE-LY.
"Nga këtu rrjedh analiza post-hoc: donim të verifikonim nëse këto barna, të përdorura me warfarinën ose dabigatranin, do ta shtonin rrezikun hemorragjik", shkruajnë autorët, duke rikujtuar se nga studimi RE-LY ka dalë gjithashtu se dabigatrani (Pradaxa, Boehringer Ingelheim) në dozimin 110 mg ose 150 mg dy herë në ditë, nuk ishte inferior ndaj warfarinës në parandalimin e iktusit apo të embolisë sistemike.
Në analizën post-hoc, kanë marrë pjesë 2.279 pjesëmarrës që kishin përdorur FANS-a të paktën një herë gjatë studimit. Nga studimi ka dalë se lidhja mes FANS-ave dhe antikoagulantëve oralë, ka një rrezik hemorragjik dukshëm më të lartë, krahasuar me antikoagulantin e marrë më vete (5,4 përkundër 3,2%).
Gjithashtu, shtimi i FANS-it është lidhur me hemorragji gastrointestinale dukshëm më të rënda dhe me hospitalizime më të shpeshta. Së fundi, duhet nënvizuar se rreziku nga iktusi ishemik është shumë më i lartë me FANS-at, ndërkohë që normat e iktusit hemorragjik janë të mbivendosura, me apo pa ato. Në një koment të tijin, Sam Schulman (Universiteti McMaster, Kanada) shkruan se lidhja është një problem i dyfishtë.
"Kjo analizë tregon se përballë një rreziku të madh hemorragjik me warfarinën apo dabigatranin, mund të shtohen edhe komplikacionet trombotike, duke shtuar një FANS. Lidhja mes të dyja barnave nuk është e rrallë, duke qenë se antikoagulantët merren shpesh nga pacientët e moshuar të cilët, përveç fibrilacionit atrial, kanë edhe dhimbje kockash", thotë Schulman-i.
J Am Coll Cardiol. 2018. doi: 10.1016/j.jacc.2018.04.063
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30012318
J Am Coll Cardiol. 2018. doi: 10.1016/j.jacc.2018.04.062
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30012319