sht142018
Retinoidet orale e topike. PRAC-u përditëson udhëzimet në lidhje me rreziqet e tyre
Në vazhdim të një rishikimi të fundit të të gjitha të dhënave, Komiteti Europian për vlerësimin e rreziqeve në fushën e farmakovigjilencës (PRAC) ka përforcuar paralajmërimet për teratogjenitetin dhe çrregullimet neuropsikiatrike të raportuara për barnat që përmbajnë retinoide. Informacionet mbi sigurinë, kanë të bëjnë me kundërveprimet dhe janë të destinuara për pacientët dhe operatorët shëndetësorë (nëpërmjet informacionit mbi medikamentet dhe materialeve edukuese).
Shënimi informues, që është lëshuar kohët e fundit nga Agjencia Italiane e Barnave, rikujton se këto barna janë të disponueshme në formën orale e topike dhe përdoren gjerësisht për trajtimin e formave të ndryshme të akneve dhe ekzemën e rëndë kronike të duarve që nuk u përgjigjen kortikosteroideve, format e rënda të psoriazës dhe çrregullimet e keratinizimit. Tretinoina mund të përdoret gjithashtu për trajtimin e leucemisë promielocitike dhe bexarotene përdoret në trajtimin e manifestimeve në lëkurë gjatë fazës së avancuar të limfomës së lëkurës me qeliza T.
Shënimi i PRAC-ut zbulon se retinoidet orale (acitretin, alitretinoin, bexarotene, isotretinoin dhe tretinoin) janë shumë teratogjene. Prandaj, përdorimi i acitretinës, isotretinoinës dhe alitretinoinës te gratë potencialisht riprodhuese, duhet të bëhet në përputhje me kushtet e programit për parandalimin e shtatzënisë.
Për bexarotenen dhe tretinoinën orale, në dritë të indikacioneve përkatëse onkologjike që kërkojnë kujdes të specializuar në një mjedis spitalor dhe popullatës për të cilën janë të destinuara, besohet se masat aktuale janë të përshtatshme dhe për këtë arsye, nuk është i nevojshëm zbatimi i programit të posaçëm për parandalimin e shtatzënisë.
Te pacientët e trajtuar me retinoide orale, vazhdon shënimi, janë raportuar fillimi/përkeqësimi i depresionit psikik, ankthi dhe ndryshimet e humorit. Rekomandohet që pacientët që marrin retinoide orale, të jenë të paralajmëruar për mundësinë e vuajtjes nga ndryshimet e humorit e të sjelljes dhe të informojnë mjekun e tyre nëse ndodh një gjë e tillë. Pacientët që shfaqin shenja të depresionit, duhet t'i referohen trajtimit të duhur nëse është e nevojshme. Vëmendje e veçantë duhet t'u kushtohet pacientëve të trajtuar me retinoide orale që kanë patur një histori të depresionit dhe të gjithë pacientët duhet të monitorohen për shenjat e këtij çrregullimi psikik.