Farmaci

tet12018

Fremanezumabi, efikas në reduktimin e episodeve mujore të migrenës

Te pacientët me migrenë episodike, fremanezumabi lidhet me një reduktim të numrit mesatar të episodeve mujore të çrregullimit, sipas një studimi të publikuar në "Journal of the American Medical Association". "Kemi pyetur veten nëse fremanezumabi, një antitrup monoklonal tërësisht i humanizuar, që synon CGRP-në (peptid i lidhur me gjenin e kalcitoninës), mund të jetë efektiv në trajtimin e migrenës episodike", thotë David Dodick (Klinika Mayo në Arizona). Për të kuptuar më shumë në lidhje me këtë temë, hulumtuesit zhvilluan një studim të kontrolluar, me përzgjedhje rastësore, në 123 qendra të nëntë vendeve.

Pjesëmarrësit, 18-70 vjeç, me migrenë episodike, u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë fremanezumab mujor me injeksion nënkutan, 225 mg në bazë dhe në javën e katërt e të tetë (290 vetë); një dozë të vetme më të lartë të fremanezumabit: 675 mg në bazë dhe placebo, në javën e katërt dhe të tetë (291 vetë), ose vetëm placebo (294 vetë). Studiuesit zbuluan se gjatë 12 javëve, ditët mesatare të migrenës në muaj kanë rënë nga 8.9 në 4.9 ditë në grupin e trajtimit mujor me fremanezumab, nga 9.2 në 5.3 ditë në grupin e fremanezumabit me dozë më të lartë të vetme dhe 9.1 deri në 6.5 ditë, në grupin placebo. Diferenca mes dozimit mujor dhe dozimit të vetëm, krahasuar me placebon, ishte respektivisht -1.5 dhe -1.3 ditë. 90.4% e pjesëmarrësve e kanë përfunduar studimin dhe ngjarjet më të shpeshta që çuan në ndërprerjen e trajtimit ishin eritema në vendin e injektimit, diarreja, ankthi dhe depresioni.

Autorët theksojnë se do të nevojiten kërkime të mëtejshme për të vlerësuar efikasitetin, krahasuar me barnat e tjera parandaluese. Disa autorë kanë bërë të ditur lidhjet financiare me kompanitë farmaceutike, përfshi Teva Pharmaceuticals, e cila prodhon fremanezumabin dhe që ka financuar studimin. Elizabeth Loder (Shkolla Mjekësore e Harvardit në Boston) dhe Matthew Robbins (Kolegji i Mjekësisë "Albert Ajnshtajn", në Nju Jork), kanë thënë në një editorial shoqërues se antitrupat monoklonalë, pa dyshim që mund të konsiderohen një përparim në trajtimin e migrenës, por ata, sigurisht, nuk janë zgjidhja për të gjitha problemet e këtij lloji, nëse marrim në konsideratë edhe efektet e tyre anësore.

 

JAMA 2018. doi: 10.1001/jama.2018.4853
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2681193?redirect=true

JAMA 2018. doi: 10.1001/jama.2018.4852
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2681173?redirect=true


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC