shk62019
Gabapentina mund të jetë e dobishme te gratë me dhimbje të forta pelvike
Trajtimi me gabapentinë përmirëson funksionin seksual te gratë me vulvodini, që tregojnë një shtim të dhimbjes në ekzaminimin pelvik, sipas analizës sekondare të një kërkimi të publikuar në "American Journal of Obstetrics and Gynecology".
"Studime të mëparshme kanë sugjeruar se gabapentina mund të reduktonte dhimbjen që vjen nga fibromialgjia, ndaj ne menduam se mund të zvogëlonte edhe dhimbjen në dyshemenë pelvike dhe të kishte një efekt te vulvodinia në përgjithësi, pra, të përmirësonte funksionin seksual", konfirmon autorja kryesore e studimit, Gloria Bachmann, SHBA. Studimi origjinal i kryer për 18 javë kishte krahasuar efikasitetin e gabapentinës me doza 1200 dhe 3000 mg/ditë me çlirim të zgjatur, me placebon, te pacientet me vulvodini. Rezultatet e publikuara në "Obstetrics & Gynecology" nuk kishin treguar ndonjë efekt të gabapentinës mbi dhimbjen në krahasim me placebon, siç përcaktohet nga "testi i tamponit" për dispareuninë.
Pra, kërkuesit kanë vendosur të kryejnë një analizë sekondare me subjekt funksionin seksual, duke përdorur si rezultat indeksin e funksionit seksual femëror (FSFI), që llogaritet nëpërmjet një pyetësori të vetëreferuar, në fillim dhe pas 6 javësh nga trajtimi. 89 gra, me moshë mesatare 37 vjeç, kanë plotësuar kriteret e futjes në studim për analizën sekondare. Gabapentina ka përmirësuar pikët FSFI me një diferencë mesatare prej 1,3 ndërmjet pacientëve në terapi aktive, në krahasim me ata që trajtohen me placebo. Por, jo vetëm kaq. Në krahasim me placebon, gabapentina ka përmirësuar edhe dëshirën seksuale me një diferencë mesatare me 0,2, në favor të terapisë aktive, si edhe eksitimin dhe kënaqësinë, me një diferencë mesatare prej 0,3, për çdo rezultat.
Në të kundërt, trajtimi aktiv nuk ka përmirësuar orgazmën, lubrifikimin ose dhimbjen dhe funksioni seksual ka mbetur nën rezultatin që është gjetur në një grup të fundit kontrolli të përbërë nga gra pa dhimbje. Një analizë e grave me pikë për dhimbjen muskulare pelvike në fillim me 5 pikë ose më shumë në një shkallë prej 10 pikësh të vlerësuar nëpërmjet algometrit vaginal dhe të klasifikuar si të prekura nga dhimbja e rëndë pelvike, ka treguar që kjo popullsi ka pasur një përgjigje më të mirë dhe mund të arrijë, pra, avantazhin maksimal të trajtimit.
Am J Obstet Gynecol. 2019. doi: 10.1016/j.ajog.2018.10.021
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30365922