mar222019
Reaksionet negative prej barnave. Rreziku që vjen nga përbërësit jo aktivë...
Shumica e barnave orale përmbajnë përbërës jo aktivë që synojnë përmirësimin e cilësive të tyre fizike, por që në të vërtetë, mund të bëhen për reaksione negative. Kjo ka dalë prej një studimi të zhvilluar nga gastroenterologu Giovanni Traverso (Spitalin e Grave, Brigam), publikuar në "Science Translational Medicine" dhe raportuar nga "Pharmaceutical Journal", studim që ka shqyrtuar 42.052 medikamente orale, që përshkruhen rëndom në SHBA.
Më shumë se 90% e këtyre medikamenteve kishin përbërës jo aktivë që mund të gjeneronin reaksione negative. Siç raportohet në studim, një tabletë kishte mesatarisht vetëm 164 mg përbërës aktiv në një peshë mesatare prej 280mg, duke demonstruar se si në të vërtetë, pacienti që iu është nënshtruar 10 recetave të ndryshme mjekësore mund të marrë plot 2.8g përbërës jo aktivë në ditë.
Hulumtimi vazhdoi me identifikimin e substancave të eksipientëve, duke arritur të identifikonte 38 alergjene të mundshme. Në 33% të barnave, u gjet prania e bojërave ushqimore, siç është tartrazina. Laktoza, nga ana tjetër, ishte përdorur në 45% të barnave orale të analizuara (me një maksimum prej 600mg për pilulë). Tërësia e barnave me bazë progesteroni dhe 62% me bazë acidi valproik, shfaqën gjurmë të vajit të kikirikut, një shtesë që kufizon në masë të madhe gamën e përdoruesve të mundshëm.
Në 55% të ilaçeve u gjet të paktën një Fodmap (Oligo- Di- e Mono-sakaride, si dhe poliol, të fermentueshme, karbohidrate të vështira për t'u asimiluar). Në 5% të tyre, më shumë se një, me sasi ndonjëherë më të larta se 500mg për pilulë. Së fundmi, edhe pse 18% e prodhuesve tregojnë praninë e glutenit dhe 69% deklarojnë se produktet e tyre nuk përmbajnë gluten, vetëm për 17% të barnave të përfshira, ka qenë e mundur të vërtetohej prania e testeve efikase të kontrollit.
"Mendoj se ekziston një nënvlerësim shqetësues i ndikimit të mundshëm të përbërësve joaktivë", shpjegon Traverso. Megjithëse një njeri mund të mos ketë probleme me absorbimin e një sasie të caktuar të eksipientëve, problemet lindin kur ai merr shumë barna. "Problemet mund të lindin për dikë që merr më shumë pilula apo tableta. Disa pacientë marrin deri në 10 barna të ndryshme. Kur je mjek, përfundon ai, gjëja e fundit që dëshiron, është të përshkruash një bar që mund të shkaktojë reaksion negativ te pacienti... Ne dëshironim të kuptonim problemin dhe të identifikonim principet jo aktive që gjenden brenda barnave të përshkruara".
"Edhe më e habitshme, shpjegon Daniel Reker, një nga autorët e studimit, është kompleksiteti i të dhënave. Ka mijëra versione të ndryshme të të njëjtit medikament, të cilët ndryshojnë përsa i përket kombinimit të eksipientëve. Kjo nënvizon se sa e komplikuar është zgjedhja e përbërësve të mundshëm, por gjithashtu, se sot ekziston një mundësi e papërdorur për të zgjedhur në mënyrë specifike versionin më të përshtatshëm të një medikamenti për pacientin".