pri112019
Ticagrelor+ASA, më mirë sesa vetëm ASA, për reduktimin e rreziqeve kardiovaskulare
Duke u marrë në kombinim me aspirinën, ticagrelori, një antagonist selektiv oral i kthyeshëm i receptorit P2Y12 me veprim të drejtpërdrejtë, që vepron duke frenuar aktivizimin e trombociteve, ka treguar një reduktim statistikisht të rëndësishëm në një endpoint përfundimtar të përbërë nga evente negative kardiovaskulare madhore (MACE), krahasuar me vetëm trajtimin me aspirinë te pacientët me sëmundje koronarike dhe diabet të tipit 2. Kjo është ajo çka thonë hulumtuesit, të cilët po zhvillojnë studimin e fazës 3 THEMIS.
Eksperimentimi, që ka përfshirë më shumë se 19000 pacientë, ka arritur në fakt endpointin e tij primar dhe një vlerësim i përgjithshëm do të prezantohet së shpejti gjatë një kongresi mjekësor.
"Pacientët që janë rekrutuar në studimin THEMIS, paraqesin një popullsi me rrezik të shtuar kardiovaskular që haset shpesh në realitetin klinik. Ky shtim i rrezikut megjithatë edhe sot, shpesh nënvlerësohet dhe nuk trajtohet në mënyrën e duhur", konfirmon Luigi Oltrona Visconti, drejtor i Kardiologjisë në IRCCS, Poliklinika San Matteo në Pavia, qendër që ka marrë pjesë në THEMIS.
"Presim me padurim të mësojmë rezultatet e plota të studimit për të vlerësuar mundësinë e ofrimit të përfitimeve të rëndësishme klinike për një popullsi pacientësh, të ndryshme nga ajo që tashmë ka të drejtën për trajtim me ticagrelor", vazhdon ai.
Hulumtuesit kanë vlerësuar pacientët me diabet të tipit 2 dhe sëmundje të dokumentuara të arteries koronare (p.sh., ndërhyrja koronare perkutane, ndërhyrje bypass, ose të paktën një ngushtim minimalisht 50% të një arterieje koronare) pa asnjë infarkt apo iktus të mëparshëm, duke testuar hipotezën se ticagrelori i marrë së bashku me aspirinën, do të kishte qenë në gjendje të reduktonte ngjarjet negative madhore kardiovaskulare, të tilla si vdekja kardiovaskulare, infarkti apo iktusi, në krahasim me trajtimin vetëm me aspirinë. Studimi, që ka nisur në vitin 2014, ka arritur tashmë 1.385 endpointe primare.