kor12019
Opioidet dhe dobitë mbi gjumin. Provat mbështetëse janë të pakta dhe jo cilësore
Sipas një studimi të publikuar në "Sleep Medicine Review", dëshmitë mbi efektin pozitiv të opioideve mbi gjumin te pacientët me dhimbje kronike, janë të kufizuara dhe jo cilësore. "Shumë njerëz që vuajnë nga dhimbja kronike afatgjatë, i përdorin opioidet si ndihmë për të fjetur, për të hequr dhimbjen dhe për të eliminuar kështu sikletet gjatë natës. Udhëzimet aktuale rekomandojnë terapinë opioide për pacientët me dhimbje kronike jo malinje kur përfitimet në lidhje me dhimbjen dhe funksionet, i tejkalojnë rreziqet. Sidoqoftë, pak studime janë kryer mbi këtë temë, veçanërisht në lidhje me sigurinë dhe efikasitetin", shpjegon Nicole Tang (Universiteti i Varvikut, në Mbretërinë e Bashkuar), autori kryesor i studimit.
Më tej, studiuesit kanë shqyrtuar efektet e terapisë me opioide mbi gjumin në dhimbjen kronike, duke vlerësuar literaturën ekzistuese. Për këtë, ata identifikuan 18 studime, duke përfshirë 12 studime të kontrolluara në mënyrë rastësore, me një kohëzgjatje maksimale prej 12 muajsh, mbi një numër të përgjithshëm prej 3,746 pacientësh. Sulfat morfine, oxycodone dhe fentanyl transdermal kanë rezultuar terapitë më të përfaqësuara dhe vetëm dy studime përdorën matje objektive të gjumit, përveç vlerësimeve të vetëraportuara, pyetësorëve ose ditarëve të gjumit. E pra, si sinteza narrative, ashtu edhe meta-analiza eksploruese kanë sugjeruar që terapia me opioide në këtë popullatë pacientësh është e lidhur me cilësi më të mirë të gjumit, sipas asaj që është raportuar nga të interesuarit.
Megjithatë, efekti nuk është i vazhdueshëm, është i vogël dhe mund të shoqërohet me përgjumje të tepërt gjatë ditës. Për më tepër, megjithëse është e mundur që të arrihet një gjumë më i qetë, me lëvizje më të vogla të trupit e këmbëve dhe më pak zgjime përmes terapisë opioide, këto përfitime mund të shoqërohen me një rritje të çrregullimeve të frymëmarrjes gjatë gjumit dhe në periudhat REM shumë të shkurtuara.
"Që nga çasti që një vlerësim i kryer nga Cochrane zbuloi një rrezik të përgjithshëm "të paqartë" ose "të lartë" të gabimit për të gjitha studimet e shqyrtuara, do të jenë të nevojshme thellime të mëtejshme mbi këtë argument, me një metodologji më efektive, për të konfirmuar dhe sqaruar efektin", përfundojnë autorët.
Sleep Med Rev. 2019. doi: 10.1016/j.smrv.2019.03.005
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31085434