gus132019
KLSH: Ligji i barnave i miratuar prej 5 vjetësh, ende pa akte nënligjore. Dëmi ekonomik: 11,798,547 lekë
Pas një auditi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje më zbatimin e ligjit të barnave, importimin, cilësinë dhe sigurinë e tyre, ligji i ri nuk i ka dhënë efektet e pritshme. Kjo për faktin se edhe pas vitesh, ai ligj nuk është plotësuar me akte nënligjore. Sipas KLSH-së, Agjencia e Barnave nuk është akredituar dhe nuk bën analiza të të gjitha barnave që futen në territorin e Shqipërisë, apo edhe që prodhohen në vend.
Nga auditi i perfomancës rezulton se mungesa e objektivave strategjike për shërbimin farmaceutik ka bërë që politikat e ndërmarra të mos jenë efektive në drejtim të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së barnave. Po kështu, heqja e detyrimit ligjor për importin e barnave të prodhuara në vendet e Ballkanit, që ato të qarkullojnë në një vend të BE-së duke u mjaftuar vetëm që të kenë regjistrim lokal në vendet e origjinës, lë vend për dyshime në lidhje me cilësinë e tyre. Në raport theksohet se Agjencia e Barnave për periudhën 2017-2018, ka realizuar vetëm 12 % të analizave të barnave që duhej të kryente. Nga ana tjetër, Shërbimi i Farmakovigjilencës është pothuajse inekzistent, theksohet në raport. Shërbimet farmaceutike pranë spitaleve janë gjithashtu të paakredituara dhe në to vijojnë të akumulohen stoqe barnash të skaduara. Nga auditi i KLSH-së ka rezultuar se në farmacinë e QSUT-së kishte barna pa pullën me mbishkrimin për përdorim spitalor, por me pullë me çmim, duke rritur dyshimet për abuzime, që ato barna mund të përdoren në tregun e hapur farmaceutik.
Nga ana tjetër, procesi i planifikimit të barnave në QSUT zhvillohet si një procedurë rutinore pa reflektuar dhe analizuar tregues të rëndësishëm statistikorë, si: konsum mesatar vjetor, mujor, dukuri e cila ka bërë që barnat e planifikuara për konsum të mos pasqyrojnë realisht kërkesat e shërbimeve spitalore ne QSUT. Drejtorisë së QSUT-së i lihet si detyrë që të miratojë listën përfundimtare të barnave dhe materialeve mjekësore, duke rritur hallkat e kontrollit të cilësisë në procesin e planifikimit të nevojave.
Në raportin e KLSH-së janë renditur gjithsej 11 problematika, përfshirë edhe furnizimin e farmacisë së QSUT-së me barna afër datës së skadencës, gjë që është konsideruar shkelje e rëndë nga KLSH-ja, duke lënë si detyrë që brenda vitit 2019, AKBPM-ja të përdorë gjithë procedurat administrative për arkëtimin e vlerës 3,586,016 lekë nga titullari i institucionit, si person përgjegjës për lëshimin e autorizimit të importit për barin Duodopa në QSUT, shumë pranë datës së skadencës.
QSUT-ja të përdorë të gjitha procedurat administrative për arkëtimin e vlerës 3,505,097 lekë të ndarë në mënyrë proporcionale midis të gjithë anëtarëve të komisionit të planifikimit për vitin 2017, që rezultojnë përgjegjës, si dhe të marrë masa disiplinore për anëtarët e këtij komisioni që rezultojnë përgjegjës sipas dispozitave ligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës së tyre në QSUT, pasi si rezultat i planifikimit të gabuar dhe në kundërshtim me përcaktimet e pikës 2 dhe 3 të urdhrit nr. 274, datë 20.09.2016 është krijuar një stok prej 353 flakonë L-asparaginazë të skaduara në farmacinë qendrore të QSUT-së, duke i krijuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 3,505,097 lekësh.
Kliko këtu për vendimin e KLSH-së.
Alma Demiraj