tet12019
Ja, cilat janë dhe si do të administrohen vaksinat antigrip 2019-2020. Rekomandimet amerikane...
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara dhe Komiteti Këshillues për Praktikat e Imunizimit (ACIP) kanë publikuar rekomandimet e tyre në lidhje me vaksinën e gripit.
Për periudhën 2019-2020, vaksina trivalente do të përmbajë një antigjen analog me shtamin A/Brisbane/02/2018 (H1N1) pdm09, një antigjen analog me A/Kansas/14/2017 (H3N2) dhe një antigjen të ngjashëm me B/Kolorado/06/2017 (linja Victoria), ndërsa vaksina kuadrivalente do të përmbajë gjithashtu një antigjen të ngjashëm me B/Phuket/3073/2013 (linja Yamagata).
CDC-ja kujton se Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA (FDA) kohët e fundit ka bërë ndryshime në etiketat e dy vaksinave të gripit dhe se tani ekzistojnë katër vaksina të inaktivuara që mund të përdoren në grupmoshën 6-35 muajsh, por tregojnë se dozat janë të ndryshme në varësi të barit të përdorur.
Në këtë grupmoshë, në fakt, për Afluria-n, doza e vetme është 0.25 ml, për Fluarix-in 0,5 ml, për FluLaval-in 0,5 ml dhe për Fluzone-n, 0.25 ose 0.5 ml. Përndryshe, fëmijët e shëndetshëm të moshës dy ose më shumë vjeç mund të marrin gjithashtu vaksinën antigrip të gjallë të zbutur (LAIV4), në dozën 0.2 ml, në rrugë intranazale (0,1 ml në secilën flegër të hundës). Ashtu si në stinët e mëparshme, fëmijët gjashtë muajsh deri në tetë vjeç, që nuk kanë marrë më parë dy ose më shumë doza totale të ndonjë vaksine të gripit para 1 korrikut 2019, ose historia e vaksinimit të të cilëve nuk dihet, kanë nevojë për dy doza të vaksinës kundër gripit 2019-2020, administruar me largësi së paku katër javë nga njëra-tjetra.
CDC-ja dhe ACIP-i rekomandojnë që vaksinimi të ofrohet deri në fund të tetorit dhe që fëmijët që kanë nevojë për dy doza, ta marrin dozën e parë sa më shpejt të jetë e mundur, për të bërë të mundur që doza e dytë të administrohet deri në fund të tetorit. Për të mos humbur mundësinë e vaksinimit, ekspertët thonë se është e rëndësishme që po ajo të ofrohet edhe gjatë vizitave shëndetësore rutinë dhe gjatë shtrimit në spital. Vaksinimi vjetor kundër gripit rekomandohet në Shtetet e Bashkuara për të gjithë njerëzit nga gjashtë muaj e lart, të cilët nuk kanë kundërindikacione për vaksinimin, por është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit që kanë një rrezik më të lartë për sëmundje të rënda dhe për komplikacione nga gripi.
Kur furnizimi me vaksina është i kufizuar, dokumenti thekson që duhet të përqendrohemi tek ata që janë në rrezik për sëmundje të rënda, siç janë fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore kronike.
CDC
https://www.cdc.gov/flu/professionals/acip/index.htm