tet292019
Ebola. CHMP-ja i hap dritën jeshile vaksinës mbrojtëse
Për herë të parë në Europë, i thuhet "po" një vaksine mbrojtëse kundër virusit të ebolës. Komiteti i Produkteve Mjekësore për Përdorim Njerëzor në EMA (Agjencia Europiane e Barnave) ka rekomanduar dhënien e autorizimit të kushtëzuar për marketing në Bashkimin Evropian të Ervebos, vaksina e parë për imunizimin aktiv të 18-vjeçarëve, apo atyre që janë më në rrezik për infeksion nga virusi i ebolës.
"Ky është një hap i rëndësishëm për lehtësimin e barrës së kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse", ka thënë Guido Rasi, drejtor ekzekutiv i EMA-s. "Rekomandimi i CHMP-së është rezultat i shumë viteve me përpjekje globale për të gjetur dhe zhvilluar barna dhe vaksina të reja kundër ebolës. Autoritetet e shëndetit publik në vendet e prekura nga ebola kanë nevojë për barna të sigurta dhe efektive për t'iu përgjigjur epidemive dhe për të shpëtuar jetë".
Epidemia aktuale në Republikën Demokratike të Kongos, kujton EMA, tregoi norma të vdekshmërisë prej rreth 67%. Më shumë se 3000 njerëz janë infektuar deri më tani. Ervebo është një vaksinë e modifikuar gjenetikisht dhe e zbutur. Të dhënat që vijnë nga studimet klinike dhe programet e përdorimit kanë treguar se ajo mbron nga sëmundja e virusit ebola, pas një doze të vetme.
Produkti ka marrë mendim pozitiv për autorizimin e marketingut të kushtëzuar nga CHMP-ja dhe informacione të mëtejshme në lidhje me procesin e prodhimit mund të paraqiten vetëm në muajt e ardhshëm. Tani, mendimi do t'i dërgohet Komisionit Europian për një vendim përfundimtar.