shk52020
Alergjia nga kikirikët. FDA-ja aprovon barin që lehtëson simptomat
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka aprovuar medikamentin Palforzia për të lehtësuar reagimet alergjike ndaj kikirikëve te fëmijët, përfshirë anafilaksinë, e cila mund të ndodhë nga ekspozimi aksidental.
Trajtimi me Palforzia synon subjektet e moshës 4 deri në 17 vjeç, me diagnozë të konfirmuar të alergjisë nga kikirikët dhe duhet të shoqërohet me eliminimin e plotë të kikirikëve nga dieta. Miratimi mbështetet nga një studim me përzgjedhje rastësore, i kryer në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Europë, me afro 500 subjekte që kishin alergji nga kikirikët. Efikasiteti u përcaktua duke vlerësuar përqindjen e pjesëmarrësve që toleruan trajtimin oral me një dozë të vetme prej 600mg të proteinave të kikirikut (dyfishi i dozës ditore të Palforzias), pa shfaqur simptoma alergjike pas 6 muajsh. Rezultatet treguan se 67.2% e atyre që kishin marrë Palforzia, toleruan një dozë 600 mg të proteinave të kikirikut, në krahasim me 4.0% të atyre që kishin marrë placebo.
Fazat e administrimit të barit
Trajtimi me Palforzia përfshin tre faza: rritjen e dozës fillestare, administrimin me doza rritëse dhe ruajtjen e saj.
Faza e parë zgjat një ditë të vetme, e dyta përbëhet nga 11 nivele të dozës rritëse dhe zhvillohet gjatë disa muajve.
Në të dyja fazat, bari duhet të administrohet nën mbikëqyrjen e një profesionisti të kujdesit shëndetësor i cili mund të menaxhojë reaksionet alergjike potencialisht serioze, përfshirë anafilaksinë.
Pasi të kenë përfunduar të gjitha nivelet e fazës së dytë, merret doza ditore mbajtëse.
Bari përbëhet nga një pluhur i prodhuar me kikirikë dhe i paketuar në kapsula të koduara me ngjyra, për dy fazat fillestare të trajtimit dhe në bustinë, për trajtimin mbajtës. Pluhuri zbrazet nga kapsulat ose bustina dhe përzihet me një sasi të vogël të ushqimit gjysmë të ngurtë (siç është salca e mollëve, kosi apo pudingu), që e konsumon pacienti.
Indikime dhe paralajmërime mbi anafilaksinë dhe efektet e padëshiruara
Reagimet alergjike ndaj kikirikëve janë të paparashikueshme dhe simptomat mund të zhvillohen brenda sekondave pas ekspozimit, duke përfshirë reaksione të lëkurës, çrregullime të tretjes ose reagime më të rrezikshme, siç janë shtrëngimi i fytit apo i rrugëve të frymëmarrjes dhe humbja e rrjedhës së duhur të gjakut në organet vitale të trupit. Për të trajtuar reaksionet alergjike mund të përdoren antihistaminikët dhe epinefrina, ndërsa Palforzia nuk mund të përdoret për trajtim urgjent.
Efektet anësore më të zakonshme që lidhen me përdorimin e Palforzias janë: dhimbje barku, të vjella, nauze, ndjesi shpimi gjilpërash në gojë, të kruara (edhe në gojë e veshë), kollë, rrjedhje hundësh, acarim në fyt dhe ndjenja e shtrëngimit, urtikarie, frymëmarrje dhe gulçim, frymëmarrje të shkurtra dhe anafilaksi. Palforzia, thotë FDA-ja, nuk duhet të administrohet tek ata që kanë astmë të pakontrolluar.
"Alergjia nga kikirikët prek rreth 1 milion fëmijë në Shtetet e Bashkuara dhe vetëm 1 në 5 fëmijë arrin ta kalojë me rritjen në moshë. Meqenëse nuk ka shërim, ata që vuajnë nga alergjia duhet të shmangin rreptësisht ekspozimin, për të parandaluar reagime serioze dhe kërcënuese për jetën, thotë Peter Marks, drejtor i Qendrës për Kërkime dhe Vlerësime Biologjike. Edhe me eliminimin e rreptë të kikirikëve nga dieta, mund të ndodhin ekspozime të paqëllimshme. Palforzia ofron një mundësi trajtimi për të ndihmuar në uljen e rrezikut të këtyre reaksioneve alergjike te fëmijët".