Farmaci

maj192020

Kremrat kundër diellit: përbërësit aktivë përthithen shpejt, përtej pragut të vendosur nga FDA-ja

tags: KREMRAT, FDA

Gjashtë përbërës aktivë: avobenzone, oxybenzone, octocrylene, homosalate, octinoxate dhe octisalate, të testuar në katër formulime të ndryshme të kremrave kundër diellit, treguan përthithje sistemike, me përqendrime plazmatike mbi pragun e vendosur nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA (FDA). Ky është rezultati i një studimi të botuar në "Jama".

"Një studim i mëparshëm pilot demonstroi përthithjen sistematike të katër përbërësve aktivë të pranishëm në kremrat kundër diellit; megjithatë, ishin të nevojshme hetime të mëtejshme për të përcaktuar përthithjen sistematike të përbërësve aktivë shtesë dhe shpejtësinë me të cilën ekspozimi sistemik tejkalon pragun 0,5 ng/mL të rekomanduar nga FDA-ja", shpjegon Murali Matta (FDA, Silver Spring, Mariland), që ka drejtuar ekipin e punës.

Studiuesit vlerësuan përthithjen sistematike dhe farmakokinetikën e gjashtë përbërësve aktivë në katër produkte kundër diellit, në kushtet e një përdorimi të vetëm dhe të përdorimit maksimal në 48 individë të shëndetshëm. Pjesëmarrësit u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë një nga katër produktet, të formuluara si locion (12 vetë), spray aerosol (12 vetë), spray jo-aerosol (12 vetë) dhe pompë spray (12 vetë) të aplikuara në sasitë prej 2 mg/cm2 në 75% të sipërfaqes së trupit një herë në ditën e parë dhe katër herë nga dita e dytë në ditën e katërt, në intervale dyorëshe. Mes njerëzve të përzgjedhur në mënyrë rastësore, studimin e përfunduan 44 vetë dhe u mblodhën 34 mostra gjaku në 21 ditë, nga secili pjesëmarrës. Përqendrimet mesatare maksimale të plazmës të të gjithë përbërësve aktivë ishin më të mëdha se 0,5 ng/ml dhe ky prag u tejkalua ditën e parë, pas një aplikimi të vetëm në të gjitha rastet. Ngjarja negative më e zakonshme ishte skuqja, e cila u zhvillua te 14 pjesëmarrës.
"Këto konstatime nuk tregojnë se njerëzit nuk duhet t'i përdorin kremrat kundër diellit, por se çështja do të duhet të hetohet më tej", theksojnë autorët.

Në një editorial shoqërues, Adewole Adamson, nga Universiteti i Teksasit dhe Kanade Shinkai, nga Universiteti i Kalifornisë, redaktor përgjegjës në "Jama Dermatology", janë të një mendimi se, në mungesë të të dhënave të qarta që tregojnë dëmet, përdorimi i kremit kimik kundër diellit mund të konsiderohet ende i përshtatshëm, megjithëse përdorimi i kremrave të diellit me bazë minerale konsiderohet tashmë një alternativë e sigurt. "Thellimi i njohurive mbi përfitimet dhe dëmet e dritës së diellit duhet të jetë një përparësi", përfundojnë redaktorët.


Jama 2020;323(3):256-267. Doi: 10.1001/jama.2019.20747
https://dx.doi.org/10.1001/jama.2019.20747


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC