Farmaci

kor272020

Tendiniti dhe problemet e tjera të ligamenteve. Cili është roli i farmacistit?

Tendiniti është një proces inflamator që prek një ose më shumë tendina, shkaktuar nga përsëritja kronike e mikrostreseve që ndryshojnë strukturën e fibrave. Ja, cilat janë simptomat dhe si bëhet menaxhimi i sëmundjes.

 

Me tendinopatitë, ose patologjitë e tendinës, identifikohen një sërë sëmundjesh që prekin tendinat (tendiniti, tendinoza), këllëfin sinovial që i mbron ato (tenosinoviti, paratenoniti) dhe strukturat anatomike ngjitur, siç janë bursat (bursiti). Shpesh këto patologji janë të pranishme njëkohësisht. Si të gjitha strukturat anatomike, edhe tendinat mund të pësojnë fenomene degjeneruese. Tendiniti është një proces inflamator që prek një ose më shumë tendina. Inflamacioni zakonisht shkaktohet nga përsëritja kronike e mikrostreseve (mikrotraumave) të cilat në terma afatgjatë ndryshojnë strukturën normale të fibrave. Shpesh nuk është e mundur të gjurmohet shkaku i saktë i tendinitit. Ndër manifestimet klinike më të shpeshta të shkaktuara nga tendinopatia gjejmë: bërrylin e tenistit (epikondiliti), tendinitin e gjurit, tendinopatitë e tendinës së Akilit, sindromën De Quervain (procesi inflamator në këllëfin sinovial të tendinave të gishtit të madh të dorës).

 

Simptomat: dhimbje dhe ënjtje

Dhimbja është simptoma e parë e tendinitit. Zakonisht, ajo shtohet nëse lëvizet pjesa e prekur dhe mund të shoqërohet me simptoma të tilla si ënjtja. Tendiniti mund të shkaktojë lloje të ndryshme dhimbjesh. Dhimbja mund të jetë spontane dhe të shfaqet pa e prekur pjesën e prekur, ose mund të shfaqet pas palpimit të drejtpërdrejtë të tendinës, gjatë tkurrjes së muskujve ose shtrëngimit pasiv të sforcuar të muskulit të lidhur. Lacerimi, këputja e pjesshme ose totale e tendinës, është një ngjarje e rrallë. Në sindromën e bërrylit të tenistit, simptomat zhvillohen gradualisht. Në përgjithësi, nuk ka ndonjë dëmtim specifik të dhunshëm të lidhur me fillimin kuadrit klinik. Te tendinitet e gjurit, dhimbja shkaktohet në përgjithësi nga një proces dëmtues që prek tendinën patelare që lidh pjesën e poshtme të patelës me pjesën proksimale të tibias. Në tendinën e Akilit, simptomat më të zakonshme përfshijnë: dhimbje në pjesën qendrore të tendinës, dhimbje të forta pas stërvitjes, trashje të tendinës, ënjtje të vazhdueshme, që përkeqësohet gjatë ditës. Në sindromën De Quervain, simptomat (dhimbje e vazhdueshme, ënjtje, dhimbje gjatë zgjatjes, për shkak të trashjes së kanalit fibroz) vendosen gradualisht.

 

Këshillat e farmacistit

Pas përjashtimit të pranisë së flamujve të kuq, farmacisti mund ta udhëzojë pacientin që të vetëmenaxhojë sëmundjet. Strategjia e parë terapeutike është pushimi. Në rastin e bërrylit të  tenistit, për të lehtësuar simptomat, aplikimet lokale të një komprese të ftohtë mund të ndihmojnë në qetësimin e dhimbjes dhe reduktimin e procesit inflamator. Marrja e qetësuesve për dhimbjen, siç është acetaminofeni, mund të ndihmojë në zbutjen e dhimbjes së lehtë. Mund të rekomandohet gjithashtu përdorimi i FANS-ave të tillë si ibuprofeni, diklofenak, ose naprokseni në formulim lokal ose oral. Terapia me barna FANS ka treguar efikasitet në lehtësimin e dhimbjes vetëm në afat të shkurtër; efektet afatgjata nuk janë demonstruar. Në rastin e tendinitit të gjurit, pezullimi i aktivitetit fizik që e gjeneroi atë, është strategjia e parë terapeutike që duhet të zbatohet. Antiinflamatorët favorizojnë reduktimin e ënjtjes dhe dhimbjes në fazën akute. Në tendinopatinë e tendinës së Akilit, zakonisht, rezultatet e mira arrihen vetëm me pushim. Mund të duhen më shumë se tre muaj që simptomat të zhduken plotësisht.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC