Farmaci

sht12020

Covid-19 dhe imuniteti natyror. Studiohet laktoferrina për parandalimin dhe terapinë

Laktoferrina, një glikoproteinë e imunitetit natyror, mund të jetë e dobishme në luftimin e infeksionit dhe inflamacionit të shkaktuar nga coronavirusi i ri, duke vepruar si një barrierë natyrale e mukozës, si respiratore, ashtu edhe intestinale, duke rregulluar nivelet e hekurit, të lidhura me kolonizimin viral. Ky është përfundimi që kanë nxjerrë autorët e një studimi italian, rezultatet e të cilit do të publikohen së shpejti. Laktoferrina, e pranishme në mukozat dhe në grimcat e neutrofileve, është në gjendje të pengojë direkt dhe indirekt viruset e ndryshme dhe të rritë në mënyrë të sigurt përgjigjen imune sistemike.

 

Studime mbi HIV-in dhe citomegalovirusin

Jo rastësisht, laktoferrina është studiuar në të kaluarën për efektet e saj frenuese në HIV dhe citomegalovirus dhe për faktin që nuk ka treguar citotoksicitet. Molekula është në gjendje të shkëputë hekurin që nuk është lidhur me lëngjet trupore dhe nga zonat e inflamacionit, duke shmangur kështu dëmtimin e shkaktuar nga radikalet toksike të oksigjenit dhe duke reduktuar praninë e joneve të hekurit.
"Rezultatet e marra te pacientët kanë demonstruar për herë të parë efikasitetin e laktoferrinës në favorizimin, pa efekte anësore, të remisionit të simptomave klinike te sëmurët pozitivë me Covid-19 dhe negativizimin e tamponit, tashmë 12 ditë pas trajtimit", shpjegon Elena Campione, nga Poliklinika Tor Vergata në Romë, e cila drejtoi studimin, si dhe ishte autore kryesore e një artikulli të botuar në International Journal of Molecular Sciences në të cilën ajo prezantoi studimin në fjalë.
Studiuesit u kanë administruar në rrugë orale dhe intranazale pacientëve paucisimptomatikë dhe asimptomatikë me Covid-19, një formulim inovativ lipozomial të laktoferrinës.
Gjatë studimit u vlerësuan cilësia, pastërtia dhe integriteti i laktoferrinës së përdorur dhe u kryen teste in vitro edhe për veprimin antiviral të molekulës, e cila tregoi se mund të parandalonte infeksionin Sars-CoV-2 në fazë të hershme. Ekspertët, falë këtij studimi mbi mekanizmat e veprimit të laktoferrinës, kanë arritur të sugjerojnë që trajtimi mund të shfrytëzohet mirë në veçanti te pacientët paucisimptomatikë dhe asimptomatikë, apo edhe në nivelin e parandalimit.

 

Burime:
Intern J Molec Sciences 2020. Doi: 10.3390/ijms21144903
https://doi.org/10.3390/ijms21144903


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC