Farmaci

nën242020

Metformina mund të mbrojë diabetikët e prekur nga Covid-19

Gjatë pandemisë Covid-19, shumë studime vëzhguese kanë treguar se diabeti melit i tipit 2 (DM2) është faktor rreziku për një formë më të rëndë të sëmundjes: te pacientët diabetikë është më i zakonshëm distresi respirator dhe vdekshmëria thuajse dyfishohet; mes faktorëve prognostikë, më të pafavorshmit janë mosha e madhe dhe obeziteti.
"Ndërsa është i dukshëm roli i kompensimit glicemik te pacientët me DM2, mbetet i paqartë ndikimi i mundshëm i llojit të agjentit hipoglicemik të përdorur", thotë Laura Molteni (qendra ambulatore e diabetologjisë dhe endokrinologjisë, spitali "Sacra Famiglia - Fatebenefratelli", Erba, Itali).

"Inflamacioni për shkak të stuhisë së citokinave luan rol vendimtar në prognozën e dobët të pacientëve me Sars-CoV-2. Duke qenë se është demonstruar tashmë një efekt antiinflamator i metforminës, i pavarur nga gjendja e diabetit, hamendësohet se medikamenti mund të ndikojë në mënyrë të favorshme në rezultatet klinike të pacientëve me DM2 të shtruar në spital për Covid-19".
Një mini-rishikim i fundit përmblodhi të dhënat e disponueshme nga studimet vëzhguese në pacientët me DM2, për të vlerësuar një efekt të mundshëm mbrojtës të metforminës në Covid-19. "Në një studim të gjerë amerikan (Bramante C, et al. MedRxiv 2020) me 6256 subjekte (52.8% femra, mosha mesatare 75 vjeç), metformina u lidh në mënyrë të konsiderueshme me rënien e vdekshmërisë te gratë e shtruara në spital (por jo te burrat) për Sars-CoV-2 (Raporti i Probabilitetit (Odds Radio: OR): 0,759, Intervali i besimit (Confidence Interval: IC): 95% 0,601-0,96)", raporton Molteni.

"Në studimin vëzhgues shumëqendror francez CORONADO (Cariou B, et al. Diabetologia 2020), ata që përdornin metforminë para shtrimit në spital, kishin normë më të ulët të vdekshmërisë (OR 0.59, IC95% 0.42-0.84) dhe në një studim tjetër më të vogël retrospektiv (Chen Y, et al. Diabetes Care 2020) të pacientëve me DM2, të shtruar për Covid-19, u vu re një prirje drejt vdekshmërisë më të ulët në spital te përdoruesit e metforminës (43 vetë) krahasuar me jopërdoruesit (77 vetë): përkatësisht 9.3% kundrejt 19.5%. Duhet të theksohet se ata që marrin metforminë treguan një rritje dukshëm më të ulët në interleukinës-6 (P= 0,02). Në një studim tjetër kinez (Luo P, et al. Am J Trop Med Hyg 2020) shkalla e vdekshmërisë në spital ishte qartazi më e ulët te pacientët e trajtuar me metforminë (104 vetë) sesa te jopërdoruesit (179 vetë): përkatësisht 2.9% kundrejt 12.3% (P=0,01). Analiza e shumëllojshme demonstroi një rritje prej më shumë se katër herësh të vdekshmërisë në spital tek ata që nuk përdornin metforminë në fillim (OR 4.36, IC95%, 1.22-15.59, P = 0.02).

Metaanaliza tregoi një efekt pozitiv të terapisë me metforminë (megjithëse jo gjithmonë), me një ulje prej 25% të vdekshmërisë (P <0.001), por me heterogjenitet mesatar/të lartë (I2 = 61%).

"Për fat të keq, në studimet e analizuara nuk janë gjithmonë të disponueshme informacione të detajuara mbi BMI-në, që do të kishin qenë një element interesant", thotë Molteni. "Të gjitha studimet retrospektive në dispozicion, megjithëse janë ende të kufizuara në numër, kanë treguar një rënie të vdekshmërisë tek ata që përdorën metforminë, krahasuar me ata që nuk e përdorën", thotë eksperti. "Mekanizmat e mundshëm që justifikojnë këto përfitime hamendësohet se varen jo vetëm nga efektet ekskluzivisht glicemike të barit, por edhe nga veprimi i tij frenues i rrugës mTOR, që parandalon hiperaktivizimin e një reagimi imunitar. Shumë interesante janë të dhënat në lidhje me diferencën në mbrojtjen që ushtron metformina te gratë, krahasuar me burrat, që autorët ia mveshin reduktimit të madh të TNF-α të shkaktuar nga metformina te gratë. Sidoqoftë, megjithëse të dhënat janë inkurajuese dhe na nxitin të mos e ndërpresim terapinë me metforminë atje ku nuk është e nevojshme, është e detyrueshme të ushtrohet kujdes, para se të jepen konkluzione përfundimtare, sepse faktorët e mundshëm ngatërrues janë të shumtë. Së pari, përdoruesit e metforminës pa dyshim që nuk kishin ndonjë kundërindikacion të rëndësishëm, siç është pamjaftueshmëria renale ose acidoza laktike, faktorë të pavarur të rrezikut që mund të çojnë në një prognozë më të dobët", vazhdon Molteni.

"Aktualisht, po studiohet roli i mundshëm mbrojtës i agjentëve të tjerë oralë hipoglicemikë në infeksionin Sars-Cov-2: në veçanti, një studim retrospektiv italian rast-kontroll i kohëve të fundit (Solerte SB, et al. Diabetes Care 2020) ka theksuar se sitagliptina është e lidhur me vdekshmëri më të ulët (vdekjet e pacientëve 18% përkundër 37%; raporti i rrezikut 0,44, IC95%, 0,29-0,66, P <0,001). Gjithashtu, është në zhvillim një RCT (DARE-19) për përdorimin e dapagliflozinës në insuficiencën respiratore për shkak të Covid-19 (Scheen AJ. Diabetes Metab 2020). Konkluzione përfundimtare mbi ndikimin e metforminës mund të nxirren vetëm nga RCT të gjera dyfish të verbra, sigurisht shumë të vështira për t'u realizuar në kontekstin e pandemisë Covid-19", thotë diabetologia.


Diabetes Metab. 2020 Aug 1. [Epub ahead of print] Doi: 10.1016/j.diabet.2020.07.006.
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/32750451/


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC