mar32021
Kanceri urotelial i fshikëzës. Testohet një klasë e re barnash që redukton vdekshmërinë
Sipas rezultateve të një studimi të botuar në "New England Journal of Medicine", enfortumab vedotin, një lloj i ri barnash që mundëson drejtimin e veprimit terapeutik direkt në qelizat kancerogjene, mund të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme mbijetesën e pacientëve me kancer urotelial të fshikëzës. Ky është lloji më i zakonshëm i tumorit të fshikëzës, që përbën 90% të rasteve dhe mund të haset edhe në pelvisin renal, në uretera dhe uretër. "Një nga trajtimet më të përdorura për këtë lloj kanceri është kimioterapia, por siç e dimë, ajo vepron duke synuar të gjitha qelizat e trupit, duke prekur kështu edhe qelizat jo kanceroze dhe duke shkaktuar efekte anësore", thotë Thomas Povvles (Universiteti Queen Mary dhe Qendra e Kancerit Barts në Londër), autori kryesor i studimit.
Klasa e re e barnave e njohur si konjugatet barna-antitrupa (ADC) funksionon duke bashkangjitur një antitrup me një medikament të ngjashëm me kimioterapinë. Antitrupi synon specifikisht qelizat kancerogjene, me të cilat lidhet, duke marrë me vete barin dhe duke e lejuar atë të veprojë vetëm në qelizat kancerogjene dhe të injorojë qelizat normale. Studiuesit vlerësuan një bar të ri që i përket klasës ADC, enfortumab vedotin, në 608 pacientë të rritur me kancer urotelial të avancuar lokalisht ose metastatik, të cilët më parë ishin trajtuar me kimioterapi me bazë platini dhe një medikament imunoterapeutik, frenuesin PD-1/L1 (pacientët gjendeshin në 19 vende).
Analiza e të dhënave tregoi se rreziku i vdekjes ishte 30% më i ulët me barin e ri sesa me kimioterapinë tradicionale, me një mbijetesë mesatare prej rreth 13 muajsh për barin e ri. Mbijetesa mesatare pa përparim ishte 5.6 muaj për barin e ri krahasuar me 3.7 muaj për kimioterapinë. Shkalla e përgjithshme e përgjigjes ishte 40.6% me enfortumab vedotin, krahasuar me 17.9% në krahun e kimioterapisë tradicionale. Efektet anësore të barit ishin të menaxhueshme dhe përgjithësisht të ngjashme me ato që ndodhin në kimioterapinë tradicionale.
NEJM 2021. Doi: 10.1056/NEJMoa2035807
http//doi.org/10.1056/NEJMoa2035807