Farmaci

pri282021

Kur ndërhyrja e farmacistëve mund të kufizojë dëmtimin nga barnat

Një përmbledhje e literaturës, rezultatet e së cilës u botuan në "British Journal of Clinical Pharmacology", arriti në përfundimin se ndërhyrjet e udhëhequra nga farmacistët mund të pakësojnë dëmin e lidhur me barnat, duke përfshirë dëmtimin konjitiv, rrëzimet, ndërveprimet farmakologjike dhe infeksionet bakteriale tek ata që jetojnë në banesa të kujdesit për të moshuarit. "Ne kemi kryer hulumtime në Medline, Pubmed, Embase, Cochrane dhe Psycinfo deri në korrik të vitit 2020. U përqendruam në studime me modelim eksperimental që kishin gjithashtu një grup kontrolli, ose në studime pothuajse eksperimentale të kryera në terren. Kemi shqyrtuar 3.826 punime dhe përfundimisht, kemi përfshirë 23, në rishikimin tonë", shpjegon Sheraz Ali, nga Universiteti i Tazmanisë në Sandy Bas, Australi, i cili drejtoi grupin e punës.

Studiuesit vlerësuan shtatë ndërhyrje me një përbërës të vetëm dhe 16 me shumë përbërës, të udhëhequr nga farmacistët për të ulur dëmtimet e lidhura me barnat në popullatën e synuar. Ndërhyrja më e shpeshtë me një përbërës e udhëhequr nga një farmacist ishte rishikimi i barnave. Rishikimi i barnave dhe ofrimi i udhëzimeve për profesionistët e kujdesit shëndetësor kanë qenë përbërësit më të zakonshëm në shumë ndërhyrje farmaceutike me shumë përbërës. Shumë ndërhyrje u përqendruan në uljen e incidencës së rrëzimeve (39%).
Në 13 studime (56%), ndërhyrjet e farmacistit nuk treguan asnjë efekt, ndërsa në dhjetë studime (43%) ato favorizuan ulje të konsiderueshme të dëmit të lidhur me barnat, si kur kanë qenë ndërhyrje me një përbërës, ashtu edhe si pjesë e një ndërhyrjeje me shumë përbërës. Ekspertët besojnë se ndërhyrjet e udhëhequra nga farmacistët kanë potencialin për të ulur incidencën e dëmtimeve të lidhura me barnat te të moshuarit dhe vërejnë se mungesa e një lidhjeje pozitive midis ndërhyrjeve dhe pakësimit të dëmtimeve të lidhura me barnat në shumë studime, tregon nevojën për më shumë ndërhyrje të synuara dhe të përshtatura.

 

Brit J Clin Pharmacology 2021. Doi: 10.1111/bcp.14824
http://doi.org/10.1111/bcp.14824 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC