kor162021
Pacientët me pneumoni mund të përfitojnë nga aspirina
Sipas një studimi të paraqitur në Kongresin Evropian të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive (ECCMID) dhe botuar në European Respiratory Journal, aspirina mund të reduktojë rrezikun e ngjarjeve serioze kardiovaskulare të tilla si iktusi ishemik dhe infarkti i miokardit te pacientët me pneumoni. "Studimi ynë siguron prova për të mbështetur faktin se përdorimi i aspirinës shoqërohet me ngjarje të reduktuara ishemike pas pneumonisë në mjedisin e kujdesit parësor. Ky medikament mund të luajë një rol klinik në të ardhmen në parandalimin e këtyre komplikacioneve të rëndësishme", shpjegon Fergus Hamilton, nga Universiteti i Bristolit, autori i parë i studimit.
Studiuesit vlerësuan nëse aspirina mund të ulë rrezikun e iktusit ishemik dhe infarktit dhe nëse medikamenti mund të luajë një rol parandalues në mjediset e kujdesit parësor. Për këtë arsye, ata analizuan në detaje të dhënat e të gjithë pacientëve mbi moshën 50 vjeç me pneumoni, në Clinical Practice Research Datalink (CPRD), një bazë e madhe të dhënash të kujdesit parësor në Britaninë e Madhe, që përfshin mbi 61 milionë pacientë. Rezultati primar u përcaktua si shfaqja e iktusit ishemik dhe infarktit të miokardit, ndërsa prania e secilës prej këtyre ngjarjeve individualisht u përcaktua si një rezultat dytësor. Midis 48,743 pacientëve të përshtatshëm për përfshirje në studim, u identifikuan 8,099 përdorues të aspirinës dhe më pas, ata u krahasuan me 8,099 jo-përdorues të zgjedhur nga e njëjta mostër.
Kështu, ekspertët zbuluan se rreziku i rezultatit primar ishte 36% më i ulët te përdoruesit e aspirinës sesa tek ata që nuk e përdorin. Marrja e këtij medikamenti shoqërohej gjithashtu me një rrezik më të vogël për të dyja rezultatet dytësore me 30% dhe 54% norma më të ulëta të iktusit ishemik dhe infarktit.
"Ky hulumtim hap rrugën për një eksperimentim klinik të aspirinës në rastet e pneumonisë, patologji që mbetet arsyeja më e zakonshme për shtrimin në spital në shumë vende", përfundon Hamiltoni.
Eur Respiratory Journal 2021. Doi: 10.1183/13993003.02795-2020
http://doi.org/10.1183/13993003.02795-2020