kor232021
Vaksinat anti-Covid. AIFA: Përditësime mbi rreziqet dhe kundërindikacionet
Duke iu referuar shënimeve të mëparshme informative, Agjencia Italiane e Barnave ka publikuar disa përditësime mbi kundërindikacionet dhe rreziqet e vaksinave: Janssen (Johnson & Johnson), Comirnaty (Pfizer) dhe Spikevax (Moderna), përditësime të dala nga vlerësimet e vazhdueshme. Në veçanti, AIFA nxjerr në pah disa çështje kryesore të përditësimeve mbi kundërindikacionet te subjektet me sindromën e mëparshme të rrjedhjes kapilare dhe mbi sindromën trombotike trombocitopenike, pas vaksinimit me vaksinën Janssen.
Sindroma e rrjedhjes kapilare (CLS):
- Raste shumë të rralla të sindromës së rrjedhjes kapilare (CLS), në disa raste me rezultat fatal, janë raportuar në ditët e para pas vaksinimit me vaksinën Covid-19 Janssen. Në të paktën një rast është raportuar një histori klinike e CLS-së.
- Vaksina Covid-19 Janssen aktualisht është kundërindikuar në subjektet që kanë shfaqur më parë episode të CLS-së.
- CLS-ja karakterizohet nga episode akute të edemës që prek kryesisht gjymtyrët, hipotensionin, hemokoncentrimin dhe hipoalbumineminë. Pacientët me një episod akut të CLS-së pas vaksinimit kërkojnë diagnostikim dhe trajtim të shpejtë. Zakonisht, kërkohet terapi intensive mbështetëse.
Sindroma trombotike trombocitopenike (TTS):
- Subjektet e diagnostikuara me trombocitopeni që ndodhin brenda tre javësh nga vaksinimi me vaksinën Covid-19 Janssen, duhet të vlerësohen në mënyrë aktive për shenja të trombozës. Po ashtu, individët që shfaqin trombozë brenda tre javësh nga vaksinimi, duhet të vlerësohen për trombocitopeni.
- TTS-ja kërkon menaxhim të specializuar klinik. Profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të konsultohen me udhëzimet e zbatueshme dhe/ose specialistët (p.sh. hematologët, specialistët e koagulimit) për të diagnostikuar dhe trajtuar këtë gjendje klinike.
Përditësime të mëtejshme
Përditësimet e mëtejshme kanë të bëjnë me vlerësimin e rrezikut të shfaqjes së miokarditit dhe perikarditit pas vaksinimit me vaksinat anti-COVID-19 me mARN, Comirnaty dhe Spikevax.
- Pas vaksinimit me vaksinat COVID-19 mARN Comirnaty dhe Spikevax janë vërejtur raste shumë të rralla të miokarditit dhe perikarditit.
- Rastet kanë ndodhur kryesisht në 14 ditët pas vaksinimit, më shpesh pas dozës së dytë dhe te meshkujt e rinj.
- Të dhënat e disponueshme sugjerojnë se ecuria e miokarditit dhe perikarditit pas vaksinimit nuk ndryshon nga ajo e miokarditit ose perikarditit në përgjithësi.
- Profesionistët e shëndetësisë duhet t'iu kushtojnë vëmendje shenjave dhe simptomave të miokarditit dhe perikarditit.
- Profesionistët e shëndetësisë duhet të udhëzojnë individët e vaksinuar që t'i drejtohen menjëherë mjekut, nëse shfaqin simptoma që sugjerojnë për miokardit ose perikardit, të tilla si dhimbje gjoksi, gulçim ose palpitacione pas vaksinimit.