gus202021
Finerenoni redukton rrezikun për fibrilacion atrial te pacientët nefropatikë dhe diabetikë
Sipas një studimi të botuar në "American College of Cardiology", me autor kryesor Gerasimos Filippatos (Spitali Universitar Attikon në Athinë), te pacientët me sëmundje renale kronike (CKD) dhe diabet të tipit 2 (T2D), antagonisti i ri selektiv i receptorit të mineralokortikoideve (MRA), finerenon, redukton rrezikun për fibrilacion atrial ose flutter (AFF), por edhe rimodelimin e miokardit të ndërmjetësuar nga receptori i mineralokortikoideve, dilatimin atrial sinister dhe fibrozën atriale sinister.
"Pacientët me CDK dhe T2D janë në rrezik për AFF për shkak të rimodelimit kardiak dhe të komplikacioneve renale", shpjegojnë studiuesit, të cilët ekzaminuan efektin që ka medikamenti në AFF, duke analizuar të dhënat nga studimi FIDELIO-DKD (akronimi për finerenonin në Reducing Kidney Failure and Disease Progression in Diabetic Kidney Disease). Pjesëmarrësit, të gjithë të rritur me insuficiencë renale kronike dhe diabet të tipit 2, u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë finerenon ose placebo gjatë një ndjekjeje mesatare prej 2.6 vjetësh.
"Nga 5,674 subjekte që morën pjesë në studim, 8.1% (n = 461) kishin një histori të AFF-së, ndërsa AFF-ja e nisur kohët e fundit, u shfaq në 3.2% të rasteve të trajtuara me finerenon dhe në 4.5% të atyre që kishin marrë placebo", thotë Filippatosi, i cili së bashku me kolegët e tij verifikuan veprimin e medikamentit në nivelin e veshkave dhe në atë kardiovaskular, duke zbuluar se efekti i tij nuk u ndikua ndjeshëm nga prania e AFF-së në fillim të studimit.
Në një editorial komentues, Gerald Naccarelli (Universiteti Penn State, Hershey në Pensilvani), shkruan: "Finerenoni është një MRA e re, për të cilin kohët e fundit është raportuar se redukton rrezikun e ngjarjeve kardiovaskulare te pacientët me sëmundje renale kronike (CDK) dhe diabet të tipit 2. Rezultatet e këtij studimi duhet të konsiderohen si gjeneruese hipotezash. Derisa të marrim më shumë informacion, terapitë MRA duhet të përdoren në popullatat e përshtatshme të pacientëve, bazuar në përfitimet e përcaktuara, me shpresën se ato do të reduktojnë me kalimin e kohës, zhvillimin e AFF-së.
JACC 2021. Doi: 10.1016/j.jacc.2021.04.079
https://doi.org/10.1016/j.jacc.2021.04.079
JACC 2021. Doi: 10.1016/j.jacc.2021.04.080
https://doi.org/10.1016/j.jacc.2021.04.080