pri12022
Suplementet me mikroelemente mund të përmirësojnë insuficiencën kardiake. Ja, cilët janë
Plotësimi i dietës me mikronutrientë, mes të cilëve: bakër, selen, hekur, zink dhe koenzimë Q10, mund të përmirësojë prodhimin e energjisë mitokondriale për qelizat e zemrës, duke ofruar një trajtim efektiv për insuficiencën kardiake.
Këto janë përfundimet e një studimi të botuar në Journal of Internal Medicine, me autor të parë Nils Bömer (Departamenti i Kardiologjisë në Qendrën Mjekësore Universitare në Groningen, Holandë). "Gjatë dekadave të fundit, është shfaqur një marrëdhënie midis uljes së prodhimit kardiak, reduktimit të fosforilimit oksidativ mitokondrial dhe prodhimit të tepërt të radikaleve hidroksilike, ngjarje që, të marra së bashku, shkaktojnë një varfërim progresiv të adenozinë trifosfatit (ATP) në nivelin kardiak, me një reduktim relativ të furnizimit me energji të indit miokardik", thotë studiuesi, duke kujtuar se mikronutrientët, duke përfshirë koenzimën Q10, zinkun, bakrin, selenin dhe hekurin janë faktorë të domosdoshëm në procesin e sintezës së ATP-së dhe deri gjysma e pacientëve me insuficiencë kardiake ka mungesë të një ose më shumë mikroelementeve.
"Kjo mungesë ka një ndikim të fortë në prodhimin e energjisë mitokondriale dhe duhet konsideruar si një faktor shtesë në ekuacionin e insuficiencës kardiake, i përkeqësuar ndjeshëm nga reduktimi i kapacitetit bioenergjetik", vazhdon Bömeri, duke shpjeguar se miokardi me defekt mund të shihet edhe si një motor pa karburant. Por, shtimi i furnizimit të substrateve të energjisë, si acidet yndyrore, glukoza dhe ketonet në mitokondri nuk mund të jetë e suksesshme nëse mitokondritë nuk mund t'i transformojnë ato, falë pranisë së mikronutrientëve, në lëndë djegëse, domethënë në ATP.
Në një editorial shoqërues Nicolas Girerd, profesor i asociuar i kardiologjisë në Spitalin Universitar të Nancy-t në Francë, shkruan: "Kjo analizë e shkëlqyer dhe gjithëpërfshirëse i hap rrugën hipotezës se mikronutrientët mund të jenë një trajtim efektiv në insuficiencën kardiake. Hapi tjetër, duke pasur parasysh provat bindëse mbështetëse, është ndërmarrja e studimeve të mëdha që konstatojnë një përfitim të rëndësishëm klinik".
Journal of Internal Medicine 2022. Doi: 10.1111/joim.13456
https://doi.org/10.1111/joim.13456
Journal of Internal Medicine 2022. Doi: 10.1111/joim.13455
https://doi.org/10.1111/joim.13455