sht202022
Depresioni. Rezultatet e papritura të trajtimit me ketaminë
Ketamina, një psikedelik i përdorur në mjekësi si anestezik dhe ilegalisht si drogë, konsiderohet një trajtim premtues por eksperimental i shëndetit mendor. Në një studim në të cilin morën pjesë më shumë se 400 pacientë, të botuar në Journal of Clinical Psychiatry, studiuesit gjetën një ulje të ndjeshme të simptomave të depresionit: në përputhje me studimet e mëparshme, 72% e pacientëve vunë re një përmirësim në humorin e tyre dhe 38% e tyre nuk kishin më simptoma pas 10 infuzionve.
Ketamina është një përzierje e dy molekulave. Një version intranazal i njërës prej këtyre molekulave (esketamine) është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave të SHBA-ve për depresionin rezistent ndaj trajtimit.
Studimi përfshiu 424 pacientë me çrregullim të madh depresiv, të cilët morën të paktën një infuzion ketamine në një klinikë të specializuar. Shumica e pjesëmarrësve kishin dështuar në testet e mëparshme farmakologjike. Pacientët në studim filluan në mënyrë tipike me 0,5 mg/kg ketaminë, me dozën e titruar për të arritur simptomat e disociimit të pjesshëm. Doza mesatare e administruar pas titrimit ishte 0.93 mg / kg për 40 minuta. Në çdo vizitë klinike, të gjithë pjesëmarrësit plotësuan Patient Health Questionnaire-9 (PHQ-9) dhe Generalized Anxiety Disorder-7 (GAD-7).
Rezultatet treguan se rezultatet totale të PHQ-9 u ulën me 50% gjatë trajtimit, ku shumica e përmirësimit u arrit brenda 4-6 javësh.
Gerard Sanacora nga Spitali Yale New Haven, tha se studimi, në të cilin ai nuk ishte i përfshirë, ka disa kufizime: nuk përmendej etnina e pacientëve, të dhënat e gjendjes socio-ekonomike pacientëve dhe jepte pak informacion mbi gjendjen shëndetësore bazë të tyre. Studimi, i kryer nga klinika e ketaminës në një grup pacientësh të vetë-përzgjedhur, ka edhe kufizime të tjera. Në fakt, autorët e studimit pranuan se nuk ka asnjë sistem për të gjurmuar efektet anësore ndërmjet pacientëve.
Infermierët që ndoqën pacientët me telefon pas trajtimeve regjistruan dy tentativa për vetëvrasje. Mjekët thanë se duhej të kishin më shumë informacion mbi efektet për një periudhë më të gjatë kohore me një grup më të madh pacientësh.
Ndërsa studimi ka këto kufizime, argumentojnë studiuesit, gjetjet duket se sqarojnë se si ketamina mund t'u ofrojë diçka njerëzve me depresion rezistent ndaj barnave.
Pas pandemisë, depresioni, ankthi dhe idetë për vetëvrasje arritën nivele historike, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët. Ekspertët thonë se nevojiten reforma urgjente për sistemin e shëndetit mendor të pafinancuar, të fragmentuar dhe të vështirë për t'u aksesuar.
Studiuesit thanë se studimi mund të ofrojë një kuptim më të madh të potencialit të ketaminës për trajtimin e njerëzve me depresion dhe më shumë shpresë në mes të krizës së rëndë të vazhdueshme të shëndetit mendor.
Ekspertët thonë se ketamina nuk duhet të konsiderohet si opsioni i parë për njerëzit me depresion ose ide vetëvrasëse duke pasur parasysh barnat dhe terapitë e tjera që kanë treguar të jenë efektive.
Autori kryesor i studimit Patrick Oliver nga MindPeace Clinics, tha se depresioni në këtë periudhë "është një epidemi", dhe shton: "Ne kemi gjetur një medikament që kushton qindarka dhe po ndihmon ne trajtimin e këtyre pacientëve".
Dr. Carlos Zarate Jr. vë në dukje se studimi ka treguar se ketamina ndihmon njerëzit me depresion rezistent ndaj barnave.
Por pranimi i përhapur i medikamentit kërkon kohë, tha Zarate, duke përmendur mungesën e të dhënave afatgjata dhe rrezikun e potencialit për abuzimin me substancat.