nën142022
Medikamenti për rënien në peshë që është i dobishëm edhe për adoleshentët
Sipas një studimi të botuar në New England Journal of Medicine, bari semaglutide, i miratuar për menaxhimin e peshës te të rriturit obezë ose mbipeshë, mund të jetë efektiv edhe për adoleshentët.
Rezultatet tregojnë se pjesëmarrësit e studimit të cilët u trajtuan me semaglutide arritën një reduktim më të madh të indeksit të masës trupore (BMI) krahasuar me adoleshentët që morën placebo.
Siç shpjegon bashkautorja Silva Arslanian nga Universiteti Mjekësor Paracelsus në Austri, normat e obezitetit janë në rritje në mbarë botën dhe janë publikuar udhëzime të ndryshme për mënyrën e jetesës dhe ushqimet që duhen konsumuar (perimet) dhe ato që nuk duhen konsumuar (të skuqurat). "Por, për fat të keq, ne jetojmë në një mjedis obezogjen, kështu që mund të jetë shumë e vështirë të bëhen këto ndryshime. Ekziston një nevojë reale për barna të sigurta dhe efektive për trajtimin e obezitetit", tha ajo.
Në studim morën pjesë 201 djem 12-18 vjeç, të cilët ishin mbipeshë (BMI të paktën 85%) ose obezë (BMI të paktën 95%) të cilët u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë semaglutide në një dozë prej 2.4 mg ose një placebo një herë në javë për 68 javë, plus një ndërhyrje në mënyrën e jetesës (këshillim për ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik).
Në fund të periudhës së studimit, u vu re një ndryshim mesatar në BMI prej 16,1% në grupin e semaglutide dhe 0,6% në grupin e placebos, për një diferencë të vlerësuar prej -16,7 pikë përqindjeje. Respektivisht 73% dhe 18% e pjesëmarrësve arritën të humbnin të paktën 5% të peshës së tyre të mëparshme (endpointi sekondar).
Në grupin e caktuar për medikamentin, u vu re një përmirësim më i madh në faktorët e rrezikut kardiometabolik, si perimetri i belit, nivelet e hemoglobinës së glikuar, lipidet dhe alanina e aminotransferazës, ndërkohë që nuk kishte dallime domethënëse midis grupeve përsa i përket presionit të gjakut dhe kolesterolit HDL.
Përveç kësaj, një cilësi më e mirë e jetës u konstatua edhe me semaglutide, kryesisht për shkak të rritjes së rezultateve të aktivitetit fizik. Së fundi, në lidhje me efektet anësore, një frekuencë më e lartë e shqetësimeve gastrointestinale u vu re në grupin e semaglutide në të cilin 5 pjesëmarrës kishin kolelitiazë (asnjë në grupin e placebo). Ngjarje të rënda prekën 11% të pjesëmarrësve të trajtuar me medikamentin dhe 9% të atyre të trajtuar me placebo.
New England Journal of Medicine 2022. Doi: 10.1056/NEJMoa2208601
https://www.doi.org/10.1056/NEJMoa2208601