mar282023
Menopauza. Medikamenti që redukton simptomat. Rezultatet e para të testeve klinike
Sipas një studimi të botuar në "Lancet", një pilulë eksperimentale johormonale mund të reduktojë afshet e nxehta dhe djersitjet gjatë natës te gratë në menopauzë. Bari, i zhvilluar në Japoni, është krijuar për të bllokuar një kimikat që modulon aktivitetin e qelizave nervore në atë pjesë të trurit që rregullon temperaturën e trupit. Aktualisht është në shqyrtim nga rregullatorët në Shtetet e Bashkuara, Europë dhe Australi dhe në muajin maj pritet edhe vendimi i Administratës së Ushqimit dhe Barnave.
Më pak afshe të nxehta dhe djersitje gjatë natës
Në studim morën pjesë 527 gra nga mbi 97 spitale në SHBA, Kanada dhe Europë, kryesisht me ngjyrë të bardhë, 40-65 vjeç, të cilat kishin përjetuar mesatarisht shtatë ose më shumë efekte anësore, të rënda ose të moderuara, të shkaktuara nga menopauza.
Më pas, pacientet u caktuan në mënyrë rastësore për të marrë 30 ose 45 mg të medikamentit ose një placebo në ditë për 12 javë. Të dyja dozat e medikamenetit sollën përmirësime të konsiderueshme në frekuencën dhe ashpërsinë e afsheve të nxehta dhe episodeve të djersitjes së tepërt gjatë natës krahasuar me placebon, me efekte pozitive të cilat u vunë re që në javën e parë të trajtimit.
Pas 12 javësh, të dy grupet e trajtimit vazhduan të merrnin barin çdo ditë edhe për 40 javë të tjera. Studiuesit deklaruan se përmirësimet fillestare u vazhduan gjatë gjithë periudhës së studimit, saktësisht 52 javë.
Rezultatet e studimit shtuan provat se këto barna të klasës fezolineant, të njohur si antagonistë të receptorit NK3R, do të ofrojnë një qasje të mundshme, të sigurt dhe efektive për trajtimin e simptomave të menopauzës në praktikën klinike në të ardhmen, pa pasur nevojë për ekspozim ndaj estrogjenit.
Megjithatë, studiuesit vënë në dukje se një studim i ngjashëm, i kryer në Azi, nuk ka treguar të njëjtat nivele të efikasitetit të vërejtura te gratë amerikane dhe ato europiane kryesisht me ngjyrë të bardhë, kështu që nuk është e qartë nëse rezultatet do të jenë të njëjta për të gjithë popullsinë globale.
Cristoforo Zervos
Burimi:
The Lancet March 13, 2023DOI: https://doi.org/10.1016/S0140-6736(23)00085-5