gus302023
Depresioni rezistent ndaj trajtimit. Studimi tregon efektivitetin e ketaminës
Ketamina racemike e administruar në mënyrë subkutane, ka treguar se efektivitet dhe siguri në trajtimin e depresionit rezistent ndaj trajtimit (TRD) për një periudhë 4-javore. Këtë e ka bërë të ditur Colleen Loo, profesoreshë e psikiatrisë në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor (UNSW) në Sidnei, si dhe autorja kryesore e një studimi të botuar në "British Journal of Psychiatry".
"Ketamina është një përzierje racemike e dy enantiomerëve, S dhe R-ketaminës, që përdoret zakonisht si anestetik", shkruajnë autorët, duke kujtuar se studimet e mëparshme klinike kanë treguar se ketamina mund të nxisë përmirësimin e shpejtë të humorit dhe ka një veprim antidepresiv te pacientët bipolarë ose me depresion rezistent ndaj trajtimit. Medikamenti duket se vepron më shpejt se antidepresivët e zakonshëm, të cilëve shpesh i duhen javë për të shfaqur efektin e tyre farmakologjik, edhe pse mund të shkaktojë efekte anësore si: takikardia, depresioni i frymëmarrjes, ankthi, pagjumësia, shqetësime në përqendrim dhe në të mësuarit, dëmtime të kujtesës, delir dhe amnezi.
Dy formulimet kryesore të administrimit të ketaminës si një antidepresiv deri më sot kanë qenë infuzionet intravenoze të ketaminës racemike dhe një spraj intranazal me përmbajtje S-ketamine (esketaminë). Provat klinike të fazës 3 kanë vërtetuar efikasitetin dhe sigurinë e esketaminës intranazale, e cila është përdoret në disa vende të ndryshme për trajtimin e TRD-së.
Për të sqaruar më tej këtë çështje, Loo dhe kolegët përzgjodhën në mënyrë rastësore 179 pacientë me TRD, dhe i ndanë ata në dy grupe, grupi i parë u trajtua me ketaminë racemike të administruar në mënyrë subkutane kurse i dyti me midazolam për një periudhë 4-javore. Rezultati primar ishte remisioni i simptomave të depresionit në fund të javës së katërt të terapisë. Dhe duke marrë parasysh të gjitha, ketamina rezultoi të ishte më efektive se midazolami me shkallë remisioni respektivisht 19.6% dhe 0.2%. Administrimi në mënyrë subkutane u mirë tolerua dhe efektet anësore akute u zhdukën brenda 2 orëve.
"Këto rezultate tregojnë se ketamina racemike e administruar në mënyrë subkutane është e sigurt dhe efektive në trajtimin e TRD-së. Në shumicën e pacientëve, përfitimet zbehen pas ndërprerjes së trajtimit, çka do të thotë se ketamina duhet të konsiderohet si një trajtim afatgjatë", përfundojnë autorët.
British Journal of Psychiatry 2023. Doi: 10.1192/bjp.2023.79
http://doi.org/10.1192/bjp.2023.79